Koalicioni VLEN ka akuzuar sot Frontin Evropian (AKI), të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, për sjellje destruktive dhe bllokim të proceseve parlamentare, duke theksuar se po politizohen procedura që janë thjesht teknike dhe të rregulluara qartë me Rregulloren e Kuvendit.
Nga VLEN u theksua se verifikimi i mandatit të deputetëve nuk është çështje politike apo votë shumice, por një procedurë formale dhe automatike institucionale. Sipas tyre, refuzimi për të votuar verifikimin e mandateve përbën precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të shtetit.
Koalicioni solli si shembuj rastet e deputetes Valbona Adili Emini, e cila zëvendësoi Salim Sulejmanin, si dhe të deputetit Zeqirja Tairi, që mori mandatin pas emërimit të Bekim Sali si ministër. Në të dyja rastet, sipas VLEN-it, opozita ka zgjedhur ta politizojë një procedurë teknike, duke krijuar konfuzion te qytetarët.
VLEN paralajmëroi se kjo qasje po shtrihet edhe në proceset e reformës në drejtësi. Ata rikujtuan se më 29 dhjetor Kuvendi miratoi Projektligjin për Këshillin Gjyqësor, i cili synon forcimin e pavarësisë dhe transparencës së këtij institucioni, por që nuk u mbështet nga Fronti Evropian.
Gjithashtu, sipas VLEN-it, më 12 janar Fronti Evropian nuk i mbështeti as propozimet e Presidentes për dy anëtare të Këshillit Gjyqësor – një avokate dhe një profesoreshë universitare – pavarësisht kredencialeve të tyre profesionale.
Nga koalicioni theksuan se çështja nuk ka të bëjë me emra apo përkatësi etnike, por me, siç u shprehën, “hipokrizinë politike” të një opozite që në publik flet për reforma dhe institucione funksionale, ndërsa në praktikë bllokon proceset që nuk janë nën kontrollin e saj.
VLEN përfundoi se do të vazhdojë të insistojë në respektimin e ligjit, rendit dhe procedurave parlamentare, duke paralajmëruar se do të denoncojë publikisht çdo veprim që, sipas tyre, dëmton interesin publik dhe rendin demokratik.


