Pas gati tri dekadash përvojë profesionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ylber Limani është emëruar zëvendësdrejtor i burgut të Kumanovës. Emërimi i tij vjen si pjesë e angazhimit të Qeverisë për të ndërtuar institucione profesionale, të përgjegjshme dhe të drejta.
Limani është jurist i diplomuar dhe magjistër në Studime Politike. Gjatë karrierës së tij ka shërbyer si inspektor i lartë në Departamentin për Krim të Organizuar brenda MPB-së, ku për vite me radhë ka kontribuar në luftën kundër krimit dhe në forcimin e rendit dhe ligjit. “Ky angazhim për mua nuk është thjesht një detyrë e radhës, por një vazhdimësi e përkushtimit tim për një shtet të së drejtës”, është shprehur Limani në një deklaratë publike, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, përfshirë edhe zëvendëskryeministrin, Arben Fetai.
VLEN vazhdon të sjellë kuadro të dëshmuar profesionalisht në pozita kyçe, me synimin për ta forcuar administratën publike dhe për t’u ofruar qytetarëve institucione që funksionojnë me integritet dhe përgjegjësi.