Koalicioni VLEN ka njoftuar se ndodhet në fazën përfundimtare të bashkimit në një subjekt të vetëm politik, një proces që sipas tyre do të forcojë edhe më tej pozitën në skenën politike në Maqedoninë e Veriut.
Nga VLEN thonë se me këtë zhvillim konfirmohen zyrtarisht si forca e dytë politike në vend, ndërsa theksojnë se qeveria aktuale ka një shumicë stabile dhe të konsiderueshme, me prirje për zgjerim të mëtejshëm.
Sipas kumtesës, rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale përbëjnë një dëshmi të qartë të mbështetjes qytetare, ku VLEN ka fituar 10 komuna, që përfaqësojnë rreth 80 për qind të komunave me shumicë shqiptare.
VLEN vlerëson se këto rezultate tregojnë qartë besimin e qytetarëve, duke theksuar se prioritet mbetet realizimi i politikave që synojnë përmirësimin e standardit jetësor dhe forcimin e funksioneve shërbyese të pushtetit ekzekutiv.


