Koalicioni VLEN, përmes një reagimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për rënie të vazhdueshme të mbështetjes mes qytetarëve dhe për një krizë të thellë politike brenda strukturës së saj.
Sipas VLEN-it, qytetarët në çdo cikël zgjedhor po e japin gjithnjë e më qartë mesazhin se nuk duan më të drejtohen nga “një strukturë e korruptuar dhe e konsumuar politikisht”.
“BDI është përballur me zhgënjim masiv dhe zemërim nga elektorati i vet. Në shumë komuna me shumicë shqiptare, si Gostivar, Strugë, Saraj, Dibër, Vrapçisht dhe të tjera, partia nuk ka më as kandidatë të vet. Aty ku ende garon, edhe vetë e dinë se do të humbasin. Kjo është dëshmi e qartë për krizën politike në të cilën ndodhen,” thuhet në reagim.
VLEN vëren gjithashtu se dikur BDI paraqitej si faktor bashkimi, por sot është, sipas tyre, e braktisur nga partnerët seriozë të koalicionit. “Parti politike dhe individë largohen çdo ditë nga radhët e tyre, duke denoncuar politikat e dështuara dhe praktikat korruptive të lidershipit të Ali Ahmetit. Me BDI-në kanë mbetur vetëm Danella Arsovska, partia ‘Levica’ dhe disa figura politike shqiptare që, siç thuhet, janë blerë me para,” shkruan më tej VLEN.
Në deklaratë, BDI akuzohet se është shndërruar në një biznes privat të një grupi të ngushtë drejtuesish.
“Sot, BDI nuk është më një parti politike, por një biznes privat i një grushti njerëzish që kanë ndërtuar perandori në sektorin e energjisë, tregti, naftë, ndërtim dhe patundshmëri. Pozitat politike janë përdorur për pasurim personal, ndërsa qytetarët kanë mbetur pa zgjidhje për problemet e tyre,” vijon reagimi.
Sipas VLEN-it, qytetarët tashmë po ndëshkojnë BDI-në përmes votës dhe rënia e saj politike është bërë një proces i pakthyeshëm.
“Në zgjedhjet e ardhshme lokale, BDI nuk do të fitojë asnjë komunë me peshë. Shqiptarët më në fund e kanë kuptuar të vërtetën – se kjo parti nuk përfaqëson më zhvillim dhe barazi, por është kthyer në një pengesë për përparimin e tyre,” përfundon reagimi i Koalicionit VLEN.