Koalicioni VLEN ka reaguar sot me një komunikatë të ashpër, duke deklaruar se zhvillimet e ditëve të fundit brenda kampit politik shqiptar tregojnë qartë se Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) po kalon një proces të plotë shpërbërjeje.
Sipas VLEN-it, dorëheqja e Krenar Llogës dhe largimet e njëpasnjëshme nga strukturat e ish-Aleancës për Shqiptarët, të shoqëruara me “panikun në BDI dhe heshtjen e zgjatur të treshes Ahmeti–Taravari–Sela”, dëshmojnë se AKI “nuk ekziston më – është shndërruar në një hije politike pa peshë dhe pa orientim”.
“Ajo që po ndodh sot nuk është dorëheqje, është rrëzim. Është shembja e një ndërtese të ngritur mbi mashtrime, improvizime dhe lojëra pas shpinës së qytetarëve”, thuhet në komunikatë.
VLEN akuzon përfaqësuesit e AKI-së dhe BDI-së, të cilët dikur u paraqitën si “shpëtimtarë të shqiptarëve”, se sot nuk kanë guximin të dalin publikisht: “Heshtja e tyre nuk është taktikë, është kapitullim. Prej tetë ditësh nuk japin asnjë deklaratë, duke u fshehur pas krizës së brendshme që i ka përfshirë”.
Në reagim kritikohet edhe përpjekja e BDI-së për të prezantuar “reforma” përmes Blerim Bexhetit: “Qytetarët janë lodhur nga paketimi i vjetër me letër të re. Kush tenton të rikthejë të dështuarin si shpëtimtar, tregon se ka mbetur pa ide, pa njerëz dhe pa fytyrë politike”.
Sipas VLEN-it, rënia e AKI-së është “dëshmia më e mirë se kulla e mashtrimeve 20-vjeçare po shkërmoqet gur më gur”, ndërsa vota e shqiptarëve në zgjedhjet e fundit ka vulosur “çlirimin e plotë nga modeli i vjetër politik”.
“Ne jemi këtu – të fortë, të bashkuar dhe me legjitimitet të plotë. Ata po largohen nga skena, ndërsa ne po hyjmë në epokën e përgjegjësisë. Ky është fundi i rrenave dhe fillimi i punës së vërtetë”, përmbyll komunikata e VLEN-it.


