VLEN ka dalë sot me deklarata të forta publike, duke publikuar, siç thotë ajo, prova të reja që thellojnë skandalin politiko-financiar të përfshirë në kompaninë “AS Senjak”, të lidhur me familjen e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Sipas VLEN, më 9 qershor 2025, një kompani ku “AS Senjak” është bashkëpronare ka marrë një kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd – një institucion bankar që lidhet me strukturat e regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
VLEN pretendon se kjo kredi nuk është një transaksion i izoluar, por dëshmi e një bashkëpunimi të hershëm dhe të vazhdueshëm midis rrjetit të kompanive të lidhura me familjen Ahmeti dhe bankës serbe. Ata thonë se kjo kredi ka qenë subjekt raportimi në Bankën Popullore të Serbisë, gjë që sipas tyre përforcon seriozitetin e lidhjeve financiare. “Nuk flasim më për një aferë të thjeshtë. Kjo tregon për një marrëdhënie të thellë dhe të strukturuar, me përfshirje të kapitaleve nga qendra të huaja që historikisht kanë qenë kundër interesave të shqiptarëve,” thuhet në deklaratën e VLEN.