Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite me ftesë të homologut të tij, ku theksoi se forcimi i marrëdhënieve ndërkombëtare është një prioritet kyç për Policinë shqiptare.
Gjatë takimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Sigurisë Publike saudite, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami, u theksua gatishmëria për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët, nga siguria publike dhe rendi, te krimi i organizuar, terrorizmi dhe krimet kibernetike.
“Policia shqiptare ka prioritet shtrirjen e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë. Jemi të vendosur për të luftuar së bashku krimin e organizuar dhe kërcënimet globale, duke ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi”, deklaroi Proda.
Ai theksoi se marrëveshja për sigurinë e nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2023 ka krijuar një bazë solide për projekte konkrete si trajnime të përbashkëta, shkëmbime përvoje, forcim të kapaciteteve teknike dhe ndërtim kanalesh operative midis dy policive.
Proda vlerësoi sidomos eksperiencën saudite në menaxhimin e pelegrinazheve masive dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për parandalimin e rreziqeve, si modele nga të cilat Shqipëria dëshiron të mësojë.
Nga ana e tij, Gjeneral Al-Bassami e garantoi mbështetjen për trajnime, logjistikë dhe operacione të përbashkëta hetimore, në zbatim të marrëveshjes dypalëshe për sigurinë.
Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar zhvilloi takime edhe me drejtuesit e sigurisë publike në Mekë dhe Medinë, duke shkëmbyer eksperienca në menaxhimin e ngjarjeve me pjesëmarrje masive.
Proda: Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e sigurisë, e nënshkruar më parë, ka krijuar një bazë solide për të avancuar në mënyrë konkrete dhe të qëndrueshme drejt një partneriteti strategjik. Policia e Shtetit shqiptar e sheh me shumë interes shkëmbimin e përvojës me Policinë e Arabisë Saudite, në fusha jetike si menaxhimi i rendit publik, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, siguria kibernetike dhe mbrojtja e hapësirave të ndjeshme.
Eksperienca saudite, sidomos në menaxhimin e sigurisë gjatë pelegrinazheve masive dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në parandalimin e rreziqeve, përbën një model nga i cili ne duam të mësojmë dhe të bashkëpunojmë ngushtësisht.
Jemi të gatshëm të intensifikojmë trajnimet e përbashkëta, të zhvillojmë projekte pilot dhe të punojmë në ngritjen e kapaciteteve teknike dhe profesionale, në dobi të të dyja vendeve tona. Propozimi për të ndërtuar ura komunikimi të drejtpërdrejta ndërmjet strukturave operative të dy policive, përmes planeve të përbashkëta të veprimit dhe nismave të trajnimit, përbën një hap konkret për thellimin e bashkëpunimit.
Shqipëria mbetet një partnere e besueshme në rajonin e Ballkanit dhe ka një angazhim të qartë euroatlantik. Jemi të vendosur të ndërtojmë me Policinë Saudite një marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjatë, të bazuar në respekt të ndërsjellë, besim institucional dhe interes të përbashkët për siguri dhe stabilitet.
Shpreh bindjen time të plotë se kjo vizitë do të jetë një gur themeli për hapat e ardhshëm që do të ndërmarrim së bashku, në dobi të shoqërive tona dhe të sigurisë së qytetarëve tanë.
Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami, vlerësoi gatishmërinë dhe vendosmërinë e Drejtor Prodës për të bashkëpunuar pa barriera me partnerët ndërkombëtarë, dhe veçanërisht me Arabinë Saudite, në të gjitha fushat që kanë interes të përbashkët.
Ai e garantoi Drejtor Prodën se do ta mbështesë Policinë shqiptare me trajnime, logjistikë dhe në veprime të përbashkëta hetimore në luftën kundër krimeve globale, në zbatim të marrëveshjes që është nënshkruar në vitin 2023, ndërmjet dy vendeve, për bashkëpunim në fushën e sigurisë.
Gjatë vizitës në Mbretërinë e Arabisë Saudite, delegacioni shqiptar zhvilloi takime me drejtues të sigurisë publike të Mekës dhe të Medinës, me të cilët shkëmbyen eksperienca për menaxhimin e aktiviteteve masive.