Presidenti Stevo Pendarovski, të mërkurën do të presë presidentin federal të Republikës së Austrisë, Aleksandër Van der Bellen, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Doris Schmidauer.
Presidenti Van der Bellen do të pritet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në një ceremoni zyrtare në kabinetin e presidentit dhe më pas parashihet të ketë mbledhje plenare të delegacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë. Të dy presidentët do të mbajnë fjalim në forumin ekonomik maqedono-austriak me temë “Forcimi i marrëdhënieve të biznesit midis Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë”.