Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, po zhvillon një vizitë pune në Bruksel nga sot deri të mërkurën. Gjatë vizitës, ai do të zhvillojë një sërë takimesh të fokusuara në procesin e integrimit evropian të vendit, si dhe do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s.
Në kuadër të agjendës, ministri Mucunski, së bashku me ministrin e Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, do të takohen me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas. Takimi zhvillohet në kontekstin e përkushtimit të vazhdueshëm të vendit ndaj procesit të integrimit evropian dhe synon forcimin e partneritetit me BE-në, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Me ftesë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rute, ministri Mucunski do të marrë pjesë të mërkurën në takimin ministror të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, i cili do të mbahet më 3 dhjetor në selinë e Aleancës në Bruksel.
“Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, takimi ministror do të shërbejë si mundësi për shkëmbimin e qëndrimeve mbi zbatimin e vendimeve të Samitit të NATO-s në Hagë, me fokus te e ardhmja e Aleancës, forcimi i kapaciteteve individuale dhe kolektive, si dhe garantimi i mbrojtjes dhe sigurisë efektive. Pritet që në qendër të diskutimeve të jetë mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën, si dhe adresimi i sfidave aktuale të sigurisë, përfshirë aktivitetet destabilizuese të aktorëve të dëmshëm dhe konkurrentëve strategjikë që rrezikojnë arkitekturën e sigurisë dhe rendin ndërkombëtar.”
Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri Mucunski pritet të realizojë edhe një sërë takimesh dypalëshe.


