Vizitë e Kim Mehmetit në Fondacionin “ALSAR”, vlerëson cilësinë e botimeve

Vizitë e Kim Mehmetit në Fondacionin “ALSAR”, vlerëson cilësinë e botimeve
Shkrimtari shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Kim Mehmeti, u prit në mjediset e fondacionit tonë në ditët e fundit të marsit.
Vizitues i herëpashershëm i Tiranës dhe analizues energjik i zhvillimeve politike dhe shoqërore në kryeqytetin shqiptar, ai u ndal këtë herë për një vizitë te “ALSAR”-i.
Pritjen ia bëri kryetari i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra, që e njohu shkrimtarin me aktivitetin e fondacionit. Biseda mes tyre u përqendrua në veprimtarinë botuese të “ALSAR”-it, me peshë gjithnjë e më të madhe në objektivat dhe planet afatmesme e afatgjata të tij.
Z. Kim Mehmeti i çmoi fort botimet e fondacionit, duke shprehur vlerësim për përzgjedhjen e titujve, gamën dhe tematikën e botimeve, dhe për cilësinë e tyre në botim.
Disa prej këtyre botimeve iu dhuruan mikut nga Maqedonia e Veriut.
Kim Mehmeti, si lëvrues dhe i publicistikës, është i njohur për shkrimet me ton të fortë dhe fjalë të drejtpërdrejta. Nuk mungojnë gjithashtu daljet e tij televizive në ekranet e Tiranës, ku ai shpreh pikëpamjet e veta për atë që ngjet rreth nesh, këndej dhe andej kufirit.
Vizita të tilla të personaliteteve të spikatura në fusha të ndryshme të jetës shoqërore janë të shpeshta në Fondacionin “ALSAR”.