Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të kompanisë, TITAN Usje priti një delegacion të lartë diplomatik të përbërë nga ambasadori i Bashkimit Evropian, Michalis Rojas, ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, Özlem Çanel, dhe ambasadorja e Greqisë, Sofia Filipidu. Gjatë vizitës u prezantuan investimet në teknologji të avancuar, digjitalizim dhe inovacion në prodhimin e çimentos dhe produkteve të reja ekologjike. U paraqitën edhe projektet e vazhdueshme për zhvillimin e komunitetit.
Ambasadorët patën mundësinë të njihen me arritjet kyçe të kompanisë, përfshirë investimet e vazhdueshme në modernizim dhe uljen e emetimeve të CO₂, nëpërmjet përdorimit të lëndëve djegëse alternative dhe burimeve të rinovueshme të energjisë, çka ka çuar në uljen e emetimeve me mbi 10%. U prezantua edhe zhvillimi i një sistemi autonom për optimizimin e prodhimit në kohë reale, që ka rritur ndjeshëm efikasitetin, ka ulur konsumimin e energjisë dhe ka përmirësuar cilësinë e produkteve.
Diplomatët vizituan edhe “Inovatoriumin” – një klub edukativ që synon forcimin e aftësive të të rinjve, arsimimin e tyre dhe aplikimin e metodave të reja në fushën e shkencave STEM – matematikë, teknologji, inxhinieri dhe shkencë – që realizohet në bashkëpunim me Fakultetin Teknologjiko-Metalurgjik të Shkupit. Brenda pak muajsh, mbi 200 nxënës kanë ndjekur trajnime për printim 3D në Inovatorium.
“Për ne, 70 vite ekzistencë nuk përfaqësojnë vetëm traditë, por edhe përgjegjësi për të ardhmen. Si pjesë e Grupit TITAN, me krenari ndajmë arritjet tona në fushën e dekarbonizimit, digjitalizimit dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm me komunitetin. Duam të vazhdojmë të jemi nxitës të ndryshimeve, duke ndërtuar ura midis industrisë, inovacionit dhe qëndrueshmërisë. Jemi mirënjohës për pjesëmarrjen e ambasadorëve në këtë moment të rëndësishëm për kompaninë tonë”, theksoi drejtori ekzekutiv i TITAN Usje, Konstantinos Nikolaou.
Pjesë e vizitës ishte edhe vizita në impiantet për lëndë djegëse alternative dhe në qendrën e monitorimit, ku ambasadorët u njohën nga afër me proceset reale të prodhimit inovativ dhe miqësor ndaj mjedisit.
Kjo vizitë është një tjetër konfirmim i hapjes dhe transparencës së TITAN Usje, si dhe i përkushtimit të saj për të qenë një partner i besueshëm për komunitetin ndërkombëtar, institucionet vendore dhe publikun e gjerë.