Info pikat për parandalim dhe kontroll shëndetësor, distribuim të pakove ushqimore, vizita në kushtet shtëpiake, takime donatorësh dhe koncerte humanitare, organizon Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit në suaza të “Javës së kujdesit për persona të moshuar”. Java me moton “Ne jemi fëmijët e tyre” zbatohet tradicionalisht çdo javën e tretë të nëntorit. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska tha, se ministria zhvillon politikë për mbrojtje jashtë institucionale dhe zhvillim të serviseve në nivel lokal për persona të moshuar dhe ka 12 qendra për persona të moshuar në qytete të ndryshme të territorit të Maqedonisë.
“Një pjesë e tyre janë në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe e shqyrtojmë programin që implementohet përmes Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit që të shtrihet edhe në mbarë territorin. Në rajon kemi praktika të mira, por edhe në Shkup e kemi praktikën e njëjtë të mirë ku në mënyrë aktive procesi i plakjes vjen përmes këtyre qendrave ditore dhe personat në moshën e tretë janë përfshirë në aktivitetet shoqërore. Do të shkojmë drejt zhvillimit të këtij programi në vitin 3018 dhe do t’i mbështesim personat e vjetër që të jenë sa më aktivë dhe më të kyçur”, tha Carovska. Sekretarja e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit, Suzana T. Paunovska, tha se me aktivitetet do të përpiqen të ngrihet ndërgjegjja për atë çka do të thotë që të jesh person i moshës së tretë dhe të shfrytëzohet energjia e përgjithshme jetësore dhe profesionale që e posedojnë ata persona. Për këto aktivitete Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit, organizon ekip prej pesë infermiereve, 12 vullnetarëve, tre persona përgjegjës në qendrat ditore dhe një koordinator.