Vizita e përgatitur për rreth dy muaj e ministrit të punëve të jashtme të Greqisë, Nikos Koxias, në vendin tonë,u realizua sot ( e enjte) me një agjendë të ngjeshur me takime me krerët më të lartë shtetërorë. Në prani të shumë mediave në vend dhe nga shteti fqinj Greqia, sot i pari i Ministrisë së punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, priti homologun e tij grek, Nikos Koxias, shkruan Almakos.
Pas takimit tek-a-tek dy ministrat dolën para gazetarëve për të treguar përmbajtjen e takimit mes tyre.
Për Maqedoninë veçse është theksuar disa herë se politikat e Qeverisë aktuale janë që të ndërtojë një fqinjësi të mirë me të gjithë. Siç edhe pritej pyetje kishte për atë se si, kur dhe çfarë do të bëhet me çështjen e emrit.
“Biseduam dhe për atë se cilët janë interesat e të dyja palëve në këtë kontest, me qëllim që të ketë më shumë mirëkuptim për atë se si njëra palë apo tjetra e percepton problemin, dhe ishte një bisedë e rëndësishme dhe frytdhënëse. U morëm vesh të bëjmë takime më të shpeshta. Marrëdhëniet e mira me fqinjin tonë jugor kanë rëndësi të veçantë për ne, bashkëpunimi i mirë ekonomik, lëvizja e madhe mes banorëve të shteteve tona, interesat e përbashkëta për stabilitet, siguri dhe prosperitet i të gjithë rajonit, janë këto vetëm disa gjëra që na lidhin. Pres dhe shpresojmë në ndihmën dhe mbështetjen në integrimet tona evropiane dhe duam një njëri-tjetrin ta shohim si mik dhe aleat të ardhshëm dhe të mos përdorim dinakëri”- tha Dimitrov.
Në njëfarë mënyre befasi ishte gjuha e përdorur sot nga ministri grek Nikos Koxias, i cili fjalimin e tij e shoqëroi edhe me batuta në disa raste, por jo pa mesazhe.
Sipas tij, deri më tani nuk ka pasur asnjë tentim për fqinjësi të mirë, ministri vazhdimisht gjatë kohëve të fundit ka përsëritur se pret hapa me vullnet të mirë nga qeveria e Zaevit, ndryshe nga taktikat nacionaliste të Nikolla Gruevskit.
“Më vjen mirë që pas një viti jam në po të njëjtin vend me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit të mëtutjeshëm të fqinjit tonë verior. Kemi folur për përmirësim të raporteve në fushën ekonomike, shkencore, arsimore, të sigurisë dhe mos ndërhyrjes në punët e brendshme të të dyja shteteve. Mospublikimi i lajmeve irredentiste nga pala greke kohëve të fundit është një dëshmi se Greqia edhe më tej ngelet e fokusuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mira me Maqedoninë dhe për stabilitet të saj, sepse vetëm me një stabilitet të Maqedonisë dhe shteteve fqinje, Ballkani Perëndimor mund të integrohet ne NATO. Historia duhet të jetë shkollë dhe mësim për ardhmërinë më të mirë të një shteti. Nuk dua të kemi një luftë të katërt ballkanike, andaj duhet të largohemi nga temat irredentiste. Duhet të kuptojmë se me zgjidhjen e një problemi mund të lindin probleme tjera, prandaj jemi të gatshëm për zhvillim të këtij procesi deri në zgjidhje përfundimtare për të mirën e të dyja palëve.”- tha ministri i punëve të jashtme të Greqisë, Nikos Koxias.
Në mediat greke vizita e Koxias është komentuar si hap drejt procesit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje. Më tej gazeta shkruan se të gjitha palët vlerësojnë se është shumë herët të debatohet për gjetjen e kompromisit për zgjidhjen e çështjes për emrin, edhe pse të gjithë e pranojnë se muajve të fundit prej vitit 2017 dhe gjashtë muajt e parë të vitit 2018 do të jenë të rëndësishme dhe do të pasohen me shumë debatë të nxehta për këtë temë.
Koxias gjatë ditës së sotme takime ka mbajtur edhe me krerë të tjerë të lartë shtetërorë, si Bujar Osmanin, Ali Ahmetin, Zoran Zaev, Talat Xhaferin etj.
Ndryshe nga mikpritja brenda MPJ, jashtë qëndronin disa qytetarë të cilët kishin flamuj e pankarta. Për të kundërshtuar përdorimin e IRJM nga Greqia sot para MPJ-së në Shkup u mbajt një protestë e ”Kongresit Botëror të Maqedonisë” dhe ”Manifestit maqedonas” duke bërtitur ”Mos më thirrni IRJM.” / Almakos.com
Përgatit: Evi Shkopi
Kameraman: Edvin Sejrani
Montazh: Edvin Sejrani