LSDM-në e ka kapur nervoza pas vizitës së Nikolla Gruevskit në Maltë, ku ka realizuar takime të rëndësishme me liderët e BE-së dhe Partisë Popullore Evropiane. Kështu kanë thënë nga VMRO-DPMNE, të cilët kanë shtuar se në këto takime, e tërë Evropa është njoftuar për krimet e bërë nga udhëheqësia e LSDM-së.
“E tërë Evropa është e vetëdijshme për raportin e dhënë kohë më parë se komuna e Strumicës është komuna më e korruptuar në Evropë, ndërsa kryetari i saj është Zoran Zaev. Zaev është shndërruar në sinonim të krimit, korrupsionit në korniza evropiane”, kanë thënë nga VMRO-DPMNE.
Sipas tyre Evropa do të mësojë arsyet se përse populli në Maqedoni është i dëshpëruar, revoltuar dhe i mllefosur.
Nga ana tjetër nga LSDM kanë thënë se Nikolla Gruevski duhet të pranojë realitetin se më nuk ka asnjë përkrahje në skenën ndërkombëtare, madje as edhe nga partia e tij si motër- Partia Popullore Evropiane në të cilën bëjnë pjesë partitë e djathta nga e tërë Evropa.
“Mesazhet në Rezolutën e miratuar nga Partia Evropiane Popullore janë edhe një dëshmi se Gruevski është politikan i izoluar i cili ka humbur besimin e gjithë partive më të rëndësishme ndërkombëtare. Mesazhet që janë në Rezolutën e dënojnë gjithë atë që Gruevski po e bën në Maqedoni.”, kanë thënë nga LSDM.
Sipas tyre kjo Rezolutë si dhe konkluzionet e Bundestagut në të cilët thuhet se duhet të respektohet shumica parlamentare dhe se zgjedhje të reja nuk janë opsion “janë mesazhe të qarta deri te Gruevski dhe Ivanovi që të ndalojnë me veprimet e papërgjegjshme e cila i kërcënon interesat nacionale dhe shtetërore të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj.