Shoqata joqeveritare Vizion M në bashkëpunim me organizatën Pro Vita dhe me Kryqin e Kuq, kanë patur ditë të hapur për dhurim të gjakut. Ky aksion për dhurimin e gjakut që është tashmë tradicional, thonë se ka pasur tejet efekt dhe nga viti në vit ka shtohet numri i personave që marrin iniciativën për të dhuruar gjak. Më së shumti këto organizata i gëzon fakti se pjesa dërmuese e dhuruesve janë qytetarë që për herë të parë japin gjak, dhe kjo sipas tyre është dëshmi se qytetarët kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë e dhurimit të gjakut me të cilin mund t’ia shpëtojnë dikujt jetën.
Burhan Osmani, Pro Vita
“Deri më tani kemi një numër të kënaqshëm të dhuruesve, mbi 30 veta, por shpresojmë se deri në fund, në orën 16:00 pasdite të vijnë edhe më shumë dhurues të gjakut…Për ditën e sotme më së shumti ose 70 përqindëshi i donatorëve janë për herë të parë. Pra kemi rritje të donatorëve që japin gjakun për herë të parë. Çdo vit e më shumë kemi qytetarë që duan të dhurojnë gjak”
Isra Zendeli, kryqi i Kuq
“Dy vjet e gjysmë jam vullnetare në Kryqin e Kuq. Herën e parë isha tek ambasada e Amerikës. Tani është hera e tretë që jam në aksione të tilla…Edhe sot ka me të vërtetë shumë. Në krahasim se kemi filluar para vetëm një ore, gati 20 vetë kanë ardhur”
Grupet që më shumti janë mbledhur sot janë A pozitiv dhe Zero pozitiv, grupe për të cilat edhe ka më së shumti kërkesë në institucionet shëndetësore.
Bojan Todorovski, Instituti për transfuziologji-Shkup
“Grupet negative janë gjithmonë ato më deficitaret. B negativ, A negativ, AB negativ. Këto janë më të rralla prandaj edhe kërkesa për to më së shumti rritet gjatë verës. Për momentin mendoj se kemi rezerva të mjaftueshme të gjakut. Aksioni po zhvillohet për mrekulli. Interesant është që më së shumti kemi donatorë që dhurojnë për herë të parë. Ka shumë të rinjë të cilët janë të interesuar për të dhuruar gjak”
Donatorët shpresojnë se gjaku i tyre do të shpëtojë jetë.
Donatore e gjakut
“Jam për herë të parë duke dhuruar gjak. Ndjenja është e veçantë. Gjatë kohë kam dashur të japë gjak por ja tani më erdhi mundësia.
Beson se gjaku jot do të ndihmojë në shpëtimin e jetës së dikujt?
Po, besoj shumë”
Donator i gjakut
“A jeni donator i rregullt i gjakut ose jepni gjak për herë të parë?
Dhuroj për herë të dytë.
Si është ndjenja.
Mirë është ndjenja nga aspekti human”
Ky aksion i dhurimit të gjakut organizohet për çdo vit në muajin mars, ndërsa sensibilizimi për nevojën e dhurimit të gjakut dhe përparësitë shëndetësore që i ka dhuruesit bëhet vazhdimisht.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/