Ndërtimi i objektit shkollore në Vizbeg, ngjashëm si edhe në Idrizovë, Bllacë dhe shumë vendbanime tjera janë përfshirë për të satën herë në platformat parazgjedhore të partive politike. Në prag të votimeve, partitë shpresojnë të sigurojnë vota duke premtuar ndërtimin e këtyre shkollave që tashmë me dekada nuk janë ndërtuar. Banorët e Vizbegut shprehën të revoltuar për këto mashtrime të partive politike, duke kujtuar këto të fundit se do të bojkotojnë zgjedhjet.
“Kur po janë në zor po na i gjejnë shtëpitë, kur po na duhen po ikin të gjithë. Tash, vota nuk ka. Vota nuk ka, shiko. 500-600 shtëpi, shkollë mos me pas, 5 kilometra prej qytetit, të shkojë e me i thënë dikujt, kjo është turp. Të shkojë me fëmijët prej këtu e në Shutkë”.
“Kur të vdesim do ta ndërtojnë. Unë për veten foli, kurrë nuk ua kam dhënë edhe nuk do tua jap se nuk ka asgjë prej tyre. A kur vijnë zgjedhjet “nuk ka problem, do të bëhet. Qysh nuk ka nevojë, kaq lagje e madhe pa shkollë hiç”.
Për ta ndërtuar shkollën në Vizbeg, tashmë shumë familje kanë dhuruar edhe pjesë nga toka e tyre private
“Kanë thanë pas një viti menjëherë do të bëhet shkolla por jo. Prej atëherë s’ka asgjë. I ka dy vjet, ndoshta edhe më shumë, kam ardhur prej Italisë vetëm ta nënshkruaj. Para votimit çdo herë vijnë, 15 ditë përpara patjetër të vijnë këtu me thanë se do ta bëjmë. Vetëm sa ta marrin votën, pastaj nuk ka asgjë, e harrojnë krejt”.
Nxënësit e Vizbegut vite me radhë përballen me mungesën e një shkolle fillore me mësim në gjuhen shqipe. Rreth 1 mijë nxënës të kësaj lagje janë të detyruar që mësimin ta ndjekin nëpër shkolla fillore të komunave Çair, Butel, Karposh dhe Shuto Orizare./Alsat/



