<
Ende asnjë lëvizje nga premtimi i kryetarit të Komunës së Butelit se gjatë brenda muajit mars do të vendoset gurthemeli për ndërtimin shkollës fillore në Vizbeg. Këtë Petre Llatinovski e kishte premtuar më 22 shkurt, ndërsa nga kabineti i tij vonesat i arsyetojnë me siç thonë me nevojen për mbylljen edhe të disa procedurave rreth parcelës mbi të cilën duhet të ndërtohet shkolla.
Për një muaj, do të jemi dëshmitar të hedhjes së gurthemelit të shkollës në fshatin Vizbeg. Ky është një lajm i mirë. Ne seancën e radhës në komunë do të marrim vendim për heqjen e taksave komunaleve për ndërtimin e shkollës në fshatin Vizbeg – deklaroi Petre Llatinovski, kryetar i komunës Butel.
Për banorët e Vizbegut, zvarritja e procedurave për ndërtimin e një shkolle fillore në Vizbeg nuk paraqet risi. Ata thonë se premtimet të tilla dëgjojnë tani e një dekadë.
Ajo që 10 vjet që është fol po nuk bëhet, nuk e le Gruevski dhe kryetari i komunës së Butelit të ndërtohet ajo shkollë, ka nevojë për atë shkollë. Unë nuk po them, po rreth 1 mijë fëmijë janë në Vizbeg. Prej rrugës së Kaçanikut fëmijët vijnë në Shutkë. Transport nuk kanë, krejt nëpër baltë”.
Ishalla e ndërtojnë po nuk janë duke e ndërtuar. Prej kur kanë thënë, 7 ose 10 vjet ama nuk bëjnë kurrgjë. Deshën ta ndërtojnë te xhamia po nuk e bën se vendi ngushtë, tash vendin e kanë atje lartë po edhe atje nuk janë duke e ndërtuar, do ta nisim sot do ta nisim nesër, kurrgjë”.
Jo vetëm këtë muaj po edhe 10 muaj me pas afat, nuk bëhet, i kanë vjedh parat nuk kanë ku marrin më. Veç janë tu gënjy, çka janë tu fol prej kryesisë e deri te më i vogli janë duke gënjyer e duk e vjedh. 20 vjet jam këtu, çdo vjet thonë asfaltin, ujin, atë e këtë asnjëra nuk është bë”– shprehen disa banorë të Vizbegut.
Ndërkohë, nxënësit e Vizbegut vazhdojnë të ecin me kilometra për të ndjekur mësimet në shkollën fillore “26 korriku” në Shuto Orizarë.
Shumë është lodhje se rruga është e keqe, sidomos kur bie shi është shumë vështirë. Kur bie shi duhet të shkojmë me prindërit. Edhe në mëngjes kur shkojmë është shumë vështirë se ka qenë në rrugë”.
Është lodhje për ne që çdo ditë të shkojmë në shkollë kështu. Edhe ne e duam një shkollë afër – ankohen disa nxënës.
Për shkak të mungesës së një objekti shkollor në Vizbeg, mbi 800 nxënës të këtij vendbanimi janë të detyruar që mësimin ta ndjekin nëpër shkolla fillore të komunave të ndryshme si ajo e Çairit, Butelit, Karposhit dhe Shuto Orizares.
Melihate Rustemi