Pas informatave të publikuara në disa media se kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, është rrahur nga bashkëpartiakët, përfaqësues të një fraksioni tjetër në BDI, Ganiu i ka demantuar të njëjtat.
“Nuk është e saktë se më kanë sulmuar, nuk e di se pse i shpikin këto gjëra. Dje isha në koncertin e Inva Mulës, ndërkaq atje ka qenë edhe lideri Ali Ahmeti. Është publikuar se më paska rrahur grupi i Bekir Asanit, por kjo nuk është e vërtetë, mes nesh nuk ka mosmarrëveshje, të gjithë jemi pjesë e udhëheqësisë qendrore të BDI-së”, ka deklaruar Ganiu për “Fokus”.
Ndryshe, mediat kanë plasuar informata për rastin në fjalë duke u thirrur në burime nga Komuna e Çairit. Të njëjtat kanë shkruar se mospajtimet të cilat gjatë kohë kanë ekzistuar në strukturat e BDI-së, veçmas në degën e Çairit, ka dalë në opinion me çka një grup i paidentifikuar, përfaqësues i një fraksioni në Çair, e ka rrahur kryetarin e Ganiu, duke e tërhequr nëpër korridoret e objektit të komunës.