Burrat e BDI-së fshihen pas Danella Arsovskës. Kështu deklaroi kreu i Komuës së Çairit Visar Ganiu në intervistën për Alsat. Sipas tij kryetarja e Qytetit të Shkupit sulmon Çairin nën direktivat e BDI-së, ndërsa të gjitha projektet që duhej të realizoheshin në Çair u penguan nga ish Qeveria dhe zyrtarë të BDI-së.
“Zonja Arsovska ka marrë detyrën ta luan dhe ta sulmon Komunën e Çairit, për shkak se edhe një herë ta përsëris zyrtarë të BDI-së, apo burrat e BDI-së në gjuhën popullore janë fshehur pas zonjës Arsovska. Ato e kanë gjetur një strategji që zonja Arsovska të jetë në terren, ato të jenë në prapaskenë, nën hije janë njerëzit që i kemi përmendur disa herë”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.
Ganiu tha se banorët e Çairit si taksa pagues kanë grumbulluar 18 milionë euro për Qytetin e Shkupit, ndërsa Arsovska gjatë këtyre katër viteve nuk ka realizuar asnjë projekt të premtuar.
“…doli edhe në terren duke më keqpërdorur edhe mua që do të bëhej zgjerimi i rrugës Cvetan Dimov, ishim pjesë e atij projekti, kontribuuam me mjete bëmë marrëveshje për bashkëpunim ndër komunal…..dhe për një moment e ndali atë projekt i cili është jetik për neve dhe që e rëndon funksionimin në komunën tonë”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.
Për situatën e krijuar me Qytetin e Shkupit, ka reaguar edhe VLEN. Nga atje thonë se BDI së bashku me Arsovskën dhe Dimitar Apasievin janë bërë bashkë kundër shqiptarëve të Çairit. Sipas tyre, BDI ka zgjedhur të bëjë aleancë me antishqiptarin më të madh në vend, vetëm e vetëm që ta ndalë hovin e VLEN-it.
“Kur menduam se BDI nuk mund të bjerë më poshtë, ja ku na del me aleancën më të turpshme në historinë politike të vendit: BDI, Danella Arsovska dhe Dimitar Apasiev, të gjithë bashkë, kundër VLEN-it dhe kundër shqiptarëve të Çairit. Apasievi, njeriu i njohur për fyerjet, urrejtjen dhe shpifjet ndaj shqiptarëve, tashmë është kthyer në partner të BDI-së në përpjekje për ta shpëtuar Danellën dhe për të mbajtur në jetë regjimin e vjetër të Blerim Bexhetit. Ky është bashkimi i hipokrizisë, i interesit të ulët dhe i panikut të thellë përballë ndryshimit që po vjen nga VLEN”, thonë nga VLEN.
Javën e fundit janë intensifikuar akuzat dhe kundër akuzat mes Komunës së Çairit dhe Qytetit të Shkupit. Arsovska akuzoi për ndërtime pa leje në Çair, ndërkohë Ganiu e Mexhiti paralajmëruan padi ndaj Arsovskës./Alsat.mk