Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij dhe njëkohësisht ka bërë thirrje për bashkëpunim të gjerë ndërpartiak, duke theksuar se për të prioritet nuk është partia, por qytetari.
Në një deklaratë të shpërndarë për media, që përcjell PressOnline.al, Ademi thekson se gara për Gostivarin nuk duhet të jetë për pushtet, por për zhvillim dhe të ardhme më të mirë për qytetin.
“Kjo është politikë – nuk ka të bëjë me bindje, nuk ka të bëjë me parime dhe, për fat të keq, nuk ka të bëjë as me Gostivarin e as me qytetarët e tij. Ka të bëjë me pushtet, para dhe pozita,” – deklaron Ademi, duke komentuar koalicionet e papritura që janë krijuar në këtë fushatë zgjedhore.
Ai shprehet i zhgënjyer nga mënyra se si partitë politike e shohin këtë garë, duke u përqendruar vetëm në fitimin e pozitave, ndërkohë që qytetarët, sipas tij, mbeten në plan të dytë.
“Unë kujdesem për mënyrën se si fiton Gostivari, si fitojnë qytetarët e Gostivarit në këto zgjedhje. Dhe kjo, duke i ditur sfidat e mëdha me të cilat përballet komuna jonë, mund të arrihet vetëm nëse i bashkojmë forcat të gjithë bashkë,” – nënvizon ai.
Ademi ka paralajmëruar se në rast se zgjidhet kryetar, ai do të thërrasë për bashkëbisedime të hapura të gjithë bartësit e listave për këshillin komunal, duke kërkuar një plan të përbashkët pune për të mirën e qytetit.
Ai ka propozuar edhe një memorandum mirëkuptimi mes të gjitha forcave politike, për zgjidhjen e tre çështjeve që i cilësoi si më urgjente për qytetin:
“Ta pastrojmë Gostivarin nga korrupsioni, ta pastrojmë Gostivarin nga mbeturinat, ta pastrojmë Gostivarin nga qentë endacakë.”
Duke sfiduar të gjithë kandidatët dhe bartësit e listave, Visar Ademi bëri thirrje për një konsensus qytetar, ku fjalën e fundit do ta kenë vetë banorët e Gostivarit.
“Si kryetar i pavarur unë do të përfaqësoj qytetarët dhe ata do të kenë fuqinë e vërtetë: për çështje të rëndësishme, unë do t’i pyes qytetarët dhe do të organizoj referendume,” – shton ai.
Në fund të deklaratës së tij, Ademi iu drejtua qytetarëve me një thirrje të qartë për mbështetje:
“Ashtu siç ftoj anëtarët e këshillit të mbështesin politikat e mia në detyrë, ju ftoj të gjithëve të më mbështesni si kryetar i pavarur, që nuk përfaqëson asnjë parti, por të gjithë qytetarët e Gostivarit.”
“Bashkëpunimi im do të jetë me të gjitha partitë, por koalicioni im do të jetë vetëm me qytetarët. Ta pastrojmë Gostivarin!”, përfundon deklaratën e tij Visar Ademi.
Zgjedhjet lokale në Gostivar do të mbahen më 19 tetor 2025, ndërsa gara për kryetar komune do të zhvillohet mes katër kandidatëve, përfshirë edhe Ademin si i pavarur.