Më poshtë e gjeni rragimin e plotë të kandidatit të pavarur të Gostivarit, Visar Ademi:
Gostivari – komuna me borxh më të madh në vend: qytetarët pyesin, ku shkuan paratë tona?
Sipas të dhënave të publikuara nga Deutsche Welle (DW), Komuna e Gostivarit po hyn në zgjedhjet e ardhshme me borxhin më të madh në Maqedoninë e Veriut – 693 milionë denarë (rreth 11.3 milionë euro). Kur i shtojmë borxhet e Ndërmarrjeve Publike Komunale, detyrimet totale të Gostivarit arrijnë në shifrën marramendëse prej 25 milionë eurosh.
Dhe megjithatë – pavarësisht këtij mali borxhi – nuk ka investime kapitale, as shkolla të reja, as infrastrukturë moderne. Qyteti vazhdon të mbetet i mbuluar me plehra, rrugët janë të pakryera, dhe komuna nuk arrin as të kositë barin në oborret e shkollave.
Pra, ku shkuan paratë? Ato përfunduan në xhepat e politikanëve dhe një administrate të fryrë me punonjës partiakë. Kjo është realiteti i Gostivarit sot – një qytet i gjymtuar nga korrupsioni, paaftësia dhe menaxhimi i keq.
Visar Ademi dhe ekipi i tij kanë një mision të qartë për t’i dhënë fund këtij cikli. Gostivari duhet të pastrohet:
1. Pastrimin e Gostivarit nga korrupsioni
2. Pastrimin e Gostivarit nga mbeturinat
3. Pastrimin e Gostivarit nga qentë endacakë
Përmes ristrukturimit të administratës komunale, shkurtimit të vendeve të panevojshme partiake dhe zëvendësimit të tyre me profesionistë, Gostivari do të kursejë miliona në vit. Me një buxhet të balancuar komunal, investimet e qëndrueshme do të bëhen të mundura – investime që sjellin progres të vërtetë dhe kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët.
Burimi i të dhënave: Deutsche Welle (DW)