Violinisti nga Tetova , Shkelzen Pajaziti, në intervistën në vazhdim na tregon për përkushtimin që I duhet një njeriu të talentuar për të arritur sukses në profesionin e tij. Sipas tij, ftesat kanë qenë të shumëta nga shtete të ndryshme, që veprimtarinë e tij si artist ta përqëndrojë dhe zhvillojë atje, por dashuria për vendin e tij, dëshira për të ndihuar në ngritjen e vetëdijes artistike dhe kulturore, me aq sa mundet, të vendit të tij, kanë bërë që këtyre ftesave t’u thotë “Jo”.
Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë:
Almakos: Një kohë fillove të postosh fotografi nga sukseset që ke arritur që në moshë të vogël, ishte nostalgji apo mesazh për ndonjë, sepse është fakt se artistët e mirëfilltë nuk vlerësohen sa duhet tek ne, por ka edhe ziliqarë?!
– Në fakt ishte më shumë nostalgji për rrugëtimin e përbashkët e violinën time nëpër koncerte, spektakle, manifestime dhe gara të ndryshme. Në njëfarë mënyre, biografia ime e dokumentuar me video dhe foto në skena të ndryshme si, në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e gjithashtu edhe nëpër qytete dhe shtete të ndryshme të Europës, por edhe fotografi nga shumica e mirënjohjeve, diplomave dhe pllakatave që kam marrë gjatë jetës sime, për të cilat kam dhënë shumë mund dhe djersë. Gjithsesi mund të komentohet edhe si një mesazh për të rinjt që vetëm me punë, përkushtim dhe dashuri ndaj profesionit mund të arrihet suksesi që dëshiron, por pse jo edhe si një mesazh për institucionet e vendit.
Almakos: Ja ke dalë mbanë të të njihet puna dhe emri yt të jetë sinonim i suksesit. Në çdo aktivitet që merr përsipër të realizosh rezultati është për t’u vlerësuar. Kjo vjen si rezultat i “ shumë punë” apo “ shumë talent”?
-Të them të drejtën nuk është e lehtë të merresh me art dhe kulturë në vendin tonë, sepse përballesh, jo rrallë herë, me dyer të mbyllura institucionesh dhe probleme të shumta që vijnë si rezultat I një shteti jo mirë të organizuar. Mirëpo, puna , përkushtimi, dashuria për punën dhe dëshira për të bërë diçka të bukur për vendin tim më shtyn që t’u bëj ballë të gjitha këtyre barrierave dhe të mundohem që të korr sukses në çdo angazhim që marr përsipër, por përsëri do të thoja që të dyja shkojnë paralelisht, puna dhe talenti, ose siç do të thoshte Thomas Jefferson: “:”Kam zbuluar se sa më shumë punoj, aq më fat kam”.
Almakos: Ke marrë si shembull, apo a ke a ndjekur si frymëzimin tënd punën e ndonjë violinist të njohur?
– Besoj se këtu gabojnë shumica e njerëzve.Të marrësh shembull punën dhe përkushtimin e një artisti tjetër që të mundohesh të punosh dhe të përparosh si ai/ajo, është gjë e mirë, mirëpo të duash të bëhesh apo t’I ngjash dikujt tjetër është kopjim dhe ja humb origjinalitetin edhe punës që bën. Për mua ka pasur shumë violinist botërorë që më kanë frymëzuar me punën dhe gjenialitetin e tyre, më kanë dhënë shumë vullnet të ushtroj në violinë, mirëpo gjithmonë jam kujdesur që të ushtroj mënyrën time të interpretimit në këtë instrument.
Almakos: Planifikon që punën ta përqëndrosh më së shumëti në Ballkan dhe në perëndim të marrësh pjesë vetëm me raste në koncerte, apo në të ardhemn do të përqëndroshesh vetëm atje?
– Kam pasur disa ftesa dhe mundësi gjatë jetës time për të përqëndruar të ardhmen në shtete të ndryshme, siç janë: Zvicra. Turqia, Norvegjia dhe SHBA, pork am preferuar që të jetoj në vendin tim për të ndihmuar sadopak në ngritjen e vetëdijes artistike dhe kulturore me aq sa mundem edhe pse duke u perballur me sfida dhe probleme të ndryshme që të gjithë veçmë I kemi të qarta. Mirëpo, nuk besoj që kam humbur shumë edhe në aspektin tjetër, vazhdoj të marr ftesa për pjesëmarrje në koncerte dhe manifestime të ndryshme në shtete të ndryshme.
Almakos: Në cilat pika duhet të mbështeten më shumë artistët, në aspektin institucional?
-Tolstoi do të thoshte : “ Arti është pasqyrë e jetës”, dhe mendoj se si I tillë duhet trajtuar. Artisti është ambassador I një populli, ai/ajo e paraqet më së miri kulturën dhe emancipimin e një populli në skenat botërore, I prezanton popujt e tjerë me vlerat tona kulturore, morale dhe intelektuale, andaj edhe për ta duhet një përkushtim më I madh nga institucionet përkatëse. Besoj se do të vijë kohë së shpejti që artisti I vërtetë të përkrahet nga institucionet, duke I dhënë hapësira më të mëdha nëpër teatro, salla koncertale, krijimi I më shumë vendeve ku mund të punojnë lirshëm dhe mbulimi I harxhimeve profesionale , si dhe përkrahja material gjatë prezantimit që I bëjmë vendit nëpër botë.
Almakos: Pret të realizosh ndonjë koncert apo ndonjë aktivitet së shpejti?
Po. Jam duke punuar në vazhdimësi për realizimin e disa koncerteve recital që shpresoj të realizohen gjatë muajit shtator, si dhe po shqyrtoj mundësitë për pjesmarrje në koncerte të ndryshme nëpër Europë, për të cilat kam marrë ftesa, mirëpo mbetet të shohim se sa do të kem përkrahjen e institucioneve të vendit për t;I realizuar.
Almakos: Falemnderit shumë Shkelzen që ndave nga dita jotë kohë për të zhvilluar këtë intervistë, ishte kënaqësi.
Falemnderit edhe juve!
Evi Shkopi
Almakos.com