Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka publikuar edhe zyrtarisht numrin e mandateve të fituara në zgjedhjet e djeshme parlamentare, ku VMRO-DPMNE ka fituar 51 deputetë, Lsdm 49, Bdi 10, koalicioni Rilindje me Besë 5 deputetë, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 deputetë.
Partitë shqiptare kanë fituar mandate në njësinë e parë, dytë, pestë dhe gjashtë zgjedhore. Në njësinë e parë shqiptare ka fituar LSDM-ja opozitare me 10 mandate, ndërsa pasohet nga VMRO me 8. BDI dhe Rilindje me Besë kanë marrë nga një deputet në këtë njësi.
Në njësinë e dytë zgjedhore, VMRO ka 9 deputet ose një më shumë se LSDM, ndërsa BDI ka fituar dy mandate dhe Besa 1. Në njësinë e tretë kanë fituar vetëm VMRO dhe LSDM, me 11 gjegjësisht 9 mandate, ndërsa në njësinë e katërt dy partitë më të mëdha maqedonase kanë fituar nga 10 deputetë.
Këto dy parti kanë barazuar edhe në njësinë e pestë, të dyja nga 9 deputetë, ndërsa BDI dhe Aleanca për Shqiptarët kanë marrë nga 1 deputet secila.
Në njësinë e gjashtë zgjedhore, BDI ka fituar 6 deputet, VMRO 4, koalicioni Rilindje me Besë 3, LSDM 3, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH në këtë njësi kanë marrë nga dy mandate. Për këto rezultate dhe procesin e djeshëm zgjedhore, partitë kanë afat që deri nesër në ora 19:00 të dërgojnë ankesat e tyre deri në Komisionin Shtetërorë Zgjedhorë, ndërsa KSHZ duhet t’i shqyrtojë të njëjtat dhe të vendos në afat prej 48 orëve.
Nga KSHZ njoftuan se deri në këto momente nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga partitë pjesëmarrëse në zgjedhje. Sipas Kushtetutës së vendit, brenda 20 ditëve duhet të konstituohet përbërja e re parlamentare e dalë nga zgjedhjet e parakohshme. Seancën konstituive e thërret kryetari i përbërjes së kaluar. Nëse ai nuk e bën këtë, në ditën e 21 deputetët mund të thërrasin vetë mbledhje konstituive.
Pas konstituimit të Kuvendit, presidenti i shtetit i jep mandatin për formimin e Qeverisë së re, liderit të partisë që ka fituar më shumë vota në nivel nacional, në këtë rast kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Në afat prej 20 ditëve nga dita e konstituimit, mandatari duhet t’i propozojë Kuvendit programin dhe propozimin e kabinetit qeveritarë. Programi dhe Qeveria e re miratohen me shumicë të deputetëve të Kuvendit, konkretisht me 61 vota.