Fronti Europian është ende në fazën e bisedimeve të brendshme për të përcaktuar kandidatët më të pranueshëm për votuesit në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor. Deputeti i këtij koalicioni, Blerim Bexheti, deklaroi për TV Shenja se procesi pritet të përfundojë brenda këtij muaji, tha se aktualisht, po zhvillohen anketa të brendshme.
BLERIM BEXHETI – DEPUTET
“Bëhen të gjitha hulumtimet për kandidatët më të pranueshëm nga popullata për kryetar të komunave njëkohësisht është edhe procesi i brëndshëm në kuadër të partive që përbëjnë Frontin Europian, qoftë për listat për këshilltarë, qoftë për kryetar komune kështu që në kuadër të BDI-së dhe Frontit është procesi që besoj se është nga fundi”.
Edhe koalicioni VLEN është në fazat përfundimtare të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash. Zv.kryeministri Izet Mexhiti tha se presin rezultatet e anketave për të vendosur se me cilët kandidat do të garojnë në 16 komuna në tërësi sa janë shqiptare.
IZET MEXHITI – 16.06.2025 https://www.facebook.com/lajmtvonline/videos/1035008932108291
“Për momentin VLEN ka angazhuar agjencione serioze për anketim në çdo komunë ku gravitojnë shqiptarët janë diku 16 komuna dhe anketat do të na japin orientimin për kandidimet, nuk flasim për emra të përveçëm”.
Ndonëse ende nuk i kanë zyrtarizuar, nga Fronti Europian si kandidat i mundshëm në Çair përmendet emri i Bujar Osmanit, që përball mund ta ketë zv.kryeministrin, Izet Mexhiti. Ndërkohë në Tetovë, Bilall Kasami nga VLEN është i sigurt, njëjtë siç i sigurt në Zhelinë është Blerim Sejdiu dhe në Vrapçishtë Isen Shabani.
Ndërkohë që partitë shqiptare vazhdojnë konsultimet e brendshme, partitë politike maqedonase kanë nisur tashmë promovimin e kandidatëve të tyre në disa komuna.Zgjedhjet lokale të rregullta në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti.
Mevludin Imeri /SHENJA/