Askush nuk ka dyshim se udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së nuk dëshiron të dorëzoj pushtetin për shkak se dëshiron të shmanget nga përgjegjësia. Por, drejtësi në Maqedoni do të ketë ndërsa amnisti Jo. Kështu tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili ka shtuar se prioritet kryesor i Maqedonisë është debllokomi i institucioneve, ndërsa shtoi se deputetët e VMRO-DPMN-së, po shërbehen me gënjeshtra në foltoren e Kuvendit.
“Është gënjeshtër se do të ndryshohet Kushtetua, gënjeshtër se do të ketë federalizim, gënjeshtër është se do të ndryshohen flamuri himni dhe stema e Maqedonisë, është gënjeshtër se populli i Maqedonisë do akuzohet se ka bërë gjenocid, është gënjeshtër se fëmijët në Shtip do të mësojnë në gjuhën shqip. Ekziston dokument final i cili e mbron unitaritetin e Maqedonisë dhe perspektivat euroatlantike. Ajo që është pranuar nga VMRO-DPMNE u pranuar edhe nga ne, por ne kemi pranuar shtesë Prokurorinë Speciale”, deklaroi Zoran Zaev, LSDM.
Ai më tej ka shtuar se ata nuk do të lejojnë provokime dhe se shumica nuk do të lejoj që Trajko Veljanovski të shkel Rregulloren dhe të vazhdoj të bllokoj institucionet.
“Kemi pasur mjaft kohë durim, dita e 31-të është, nuk ka subvencione, nuk do të ketë paga, do të bllokohen institucionet. Ngadalë i paralajmërojmë hapat. Kemi obligim në këtë Kuvend të respektojmë vullnetin e qytetarëve dhe të mundësojmë që Maqedonia të ecë përpara. Ikje nga përgjegjësia nuk ka”, ka shtuar Zaev.
Zaev tha se nuk janë të vërteta pretendimet e VMRO-DPMNE-së se ata po përgatisin grusht-shtet. Sipas tij, bllokadat duhet të përfundojnë ngase tani ka një shumicë të re parlamentare.
Enis Murtezi /SHENJA/
Zaev: Nuk do të ndryshohet as Kushtetua e as himni by tvshenjaofficial

