Bullgaria do ta ndihmojë Maqedoninë në rrugën e integrimeve euro atlantike, ndërsa dy vendet së shpejti do të nënshkruajnë një marrëveshje për fqinjësi të mirë me të cilën do të mbyllen kontestet dhe dallimet shumë vjeçare mes dy vendeve. Kjo u tha në konferencën e mbajtur pas takimit të kreut të Qeverisë, Zoran Zaev me homologun e tij bullgar Bojko Borisov.
“Për vendin tonë nuk ka alternativë. Kemi hapur perspektiva të reja për avancimin e miqësisë tonë. Kemi biseduar për ndihmën dhe përkrahjen që Bullgaria mund të ia jep vendit në procesin e integrimit. Kemi përafruar mendimet për nënshkrimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Së bashku do të festojmë Ilindenin në Maqedoni më 2 gusht dhe atëherë do ta mbarojmë marrëveshjen për bashkëpunim bilateral. Sot ne do të përkulemi para përmendores së Mbretit Samoil në Sofje”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryeministër I Maqedonisë.
Kryeministri bullgar tha se vendi i tij mbështet Maqedoninë e vetme dhe të integruar në strukturat euro atlantike. Ky process, tha ai, do të ndihmojë jo vetëm vendin, por gjithë rajonin. Borisov tha se nuk dëshiron më të dëgjojë shprehjen Ballkani Perëndimor, si pjesë të ndarë të Evropës.
“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur që me Greqinë mike të punojmë bashkë ti zgjedhim të gjitha problemet, sepse destabilizimi i Maqedonisë nënkupton edhe destabilizim të kufijve tanë. Ne jemi për Maqedoni të vetme, ne jemi për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe më pas edhe në Bashkimin Evropian”, ka thënë Bojko Borisov, kryeministër i Bullgarisë.
Zaev ka qenë i shoqëruar edhe nga ministra të kabinetit qeveritar, ndërsa përveç kryeministrit Bojko Borisov, ai ka takuar edhe presidentin e Bullgarisë Rumen Radev. Në agjendën e delegacionit qeveritar të Maqedonisë janë edhe takime me afaristë në Sofje, ndërsa kanë nderuar edhe mbretin Samoil duke vendosur lule të freskëta te shtatorja e tij.
Arben Zeqiri
Zaev në Bullgari, gati marrëveshja mes dy vendeve by tvshenjaofficial

