Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, së bashku me deputetët e koalicionit VLEN dhe ZNAM-it dorëzuan në Kuvend Rezolutë me të cilën dënohen manipulimet e opozitës dhe konfirmohen politikat kundër migrimit të paligjshëm. Këtë e bëri të ditur koordinatori i VMRO-së, Nikolla Micevski. Siç tha ai Rezoluta i jep fund të gjitha spekulimeve dhe manipulimeve të rreme me pranimin e supozuar të migrantëve dhe ndërtimin e kampeve për migrantët në vend. Ndërsa shtoi se dokumenti përbëhet prej 9 pikave.
Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-së
“Pas përhapjes së lajmeve të rreme, të pavërtetave dhe manipulimeve nga LSDM, VMRO-DPMNE si parti shtetndërtuese përgatiti një rezolutë me të cilën i japim fund njëherë e përgjithmonë temës së shpikur të migrantëve nga LSDM. Me këtë Rezolutë, konfirmojmë se Qeveria dhe Parlamenti nuk do të lejojnë kurrë negociata për migrantët. Qytetarët duhet të jenë të sigurt, VMRO-DPMNE kujdeset për sigurinë e njerëzve”.
E, nga LSDM kritkuan pushtetin duke thënë se në vend që të qëndrojnë me ta, pushteti ka paraqitur kundër rezolutë.
Bogdanka Kuzeska, nënkryetare e LSDM-së
“Kundër protesta, kundër rezoluta, lajme të rreme, kërcënime me paraqitje penale, njejtë si në kohën e Nikolla Gruevski. Me kundër rezolutë DPMNE-ZNAM e vërteton atë që LSDM me ditë po flet: ekziston marrëveshje ‘migrantë për para’”.
Kryeministri Hristijan Mickoski një ditë më parë i bëri thirrje Prokurorisë që të veprojë mbi deklaratat e opozitës LSDM lidhur me çështjen e migrantëve, duke vlerësuar se me to po krijohet shqetësim dhe panik te qytetarët.
Emine Ismaili /SHENJA/


