VMRO-DPMNE, ka vazhduar edhe sot për shpalosjen e disa emrave të zyrtarëve shtetëror, të cilat nga VMRO e kanë emëruar “Pronat e Fshehta” . VMRO-ja opozitare thekson se këta persona kanë një histori të gjatë partiake në LSDM, dhe sipas tyre posedojnë disa poste në parti.
Kësaj radhe sipas deputetit të VMRO-DPMNE, Brane Petrushevski, pasurinë e ka fshehur Ana Marija Paviq, e cila është emëruar anëtare e Këshillit Drejtues të Qendrës për Azilkërkues dhe e cila po ashtu është koordinatore e Forumit të Gruas në Butel dhe ka qenë kandidate për këshilltare nga partia LSDM. Ajo sipas Petrushevskit posedon një makinë luksoze Audi A5 në emrin e saj dhe pjesa tjetër e pronës i përket familjes së saj.
BRANE PETRUSHEVSKI-DEPUTET I VMRO-DPMNE
“Presim që Kovaçevski, në vend që t`i mbrojë, të kërkojë njoftim nga Komisioni Antikorrupsion për të gjithë funksionarët që nuk kanë dorëzuar lista anketuese ku vetëm në këtë mënyrë do të dëshmohet se edhe ai është pjesë e procesit të fshehjes së pronës, e ndoshta edhe ai fsheh pronë si pjesë e një afere tjetër” .
Nga VMRO-DPMNE-ja gjithashtu gjatë ditës së sotme kanë publikuar gjashtë emra të zyrtarëve shtetëror nga gjithsejt 123 funksionarë, për të cilët pretendojnë se kanë prona të fshehura.
Përveç Ana Marija Paviq, Petrushevski tha se janë edhe disa zyrtarë që nuk kanë dorëzuar anketë derisa ishin në pozicione të mëparshme zyrtare. Këtu përfshihen Sasha Maksimovski dhe Tedi Coneski nga Fondi për Inovacione, Gajur Rushiti – drejtor i Inspektoratit për Transport, Tashko Dojçinov – Prokuror Shtetëror për rajonin e Gjevgjelisë dhe Vasko Stefanov – Drejtor i Postës.
Samir Mustafa /SHENJA/