Formimi i Qeverisë së re edhe më tej duket i largët, ndërsa përplasjet mes dy partive maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë vazhduar edhe sot pikërisht në këtë temë. VMRO-DPMNE edhe një herë ka përsëritur ofertën ndaj Zoran Zaevit që të heq dorë nga platforma e partive shqiptare ose të pranojë zgjedhje të reja në të cilat do të kërkojë vota me këtë platformë.
“VMRO-DPMNE mbetet në ofertën e saj principiele. Nëse LSDM tërhiqet nga Platforma e Tiranës dhe realizimi i elementeve që përmban ajo, do t’i japim mbështetje LSDM-së dhe Zaevit të formojë Qeveri. Nëse Zaev aq shumë e respekton këtë platformë le të dalë me atë në zgjedhje si program të saj dhe le të kërkojë mbështetje nga qytetarët”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM janë kundërpërgjigjur duke siguruar se nuk do të preket sistemi unitar i shtetit dhe duke akuzuar VMRO-DPMNE-në se shqetësimi i vetëm i tyre është mbrojtja e krimit dhe ikja nga drejtësia. Partia e Zaevit thotë se tanimë ka një program qeveritar dhe nuk ekzistojnë platforma partiake.
“Programi i Qeverisë së re reformatore garanton unitaritetin e Maqedonisë dhe sundimin e së drejtës dhe ofron zgjidhje për problemet reale të qytetarëve. Ky dokument është i dukshëm për të gjithë edhe për opinionin vendor, edhe për atë ndërkombëtarë, përveç se për Nikolla Gruevskin dhe bashkëpunëtorët e tij të cilëve nuk ju konvenon, pasi dëshirojnë ta thellojnë krizën”, thonë nga LSDM.
LSDM në kundërpërgjigjen e tyre kanë akuzuar VMRO-DPMNE-në se dëshiron t’i mbajë peng qytetarët dhe shtetin vetëm për të shpëtuar veten. Por, ata shprehen të bindur se do të ketë edhe Kuvend edhe Qeveri në një periudhë të shpejtë kohore.
Arben Zeqiri /SHENJA/
VMRO dhe LSDM përplasen për platformën shqiptare by tvshenjaofficial