Gazetarja Sonila Meço komentoi në emisionin “Kjo Javë” në News24 videon virale të kryeministrit Edi Rama, në Kopenhagen ku ai ironizon Trump duke bërë batutë me presidentin francez Macron, në lidhje me marrëveshjen mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Sipas Meços, kjo batutë nuk ishte spontane, por një veprim i paramenduar me kujdes.
“Rama ka hequr dorë prej kohësh nga improvizimi. Kjo nuk është një batutë e rastësishme, por një veprim i menduar,” u shpreh gazetarja, duke thënë se pas këtij momenti qëndron një logjikë politike.
Meço tha se raporti i Ramës me SHBA-të aktualisht është i tendosur, për shkak të çështjes McGonigal dhe qëndrimeve të mundshme të administratës Trump nëse ai rikthehet në pushtet, veçanërisht në lidhje me luftën kundër karteleve të drogës.
Në këtë sfond, sipas saj, batuta ndaj Trump mund të shërbejë si një lloj mburoje në rast se Rama do të përballet me ndonjë hetim ose presion të mundshëm ndërkombëtar.
“Në këtë kontekst, Rama ka përdorur këtë batutë për të krijuar një alibi eventuale: në rast të ndonjë goditjeje apo hetimi, ai mund të thotë se ishte thjesht një shaka,” shpjegoi Meço.
Ajo tha se Rama zgjodhi Macronin si bashkëbisedues për batutën, duke besuar se Bashkimi Europian do të japë mbështetje nëse do të përballet me presione.