Ka vazhduar edhe sot debati në Kuvend për rishikimin e Buxhetit, me interesim dukshëm më të ulët, me sallën e cila ishte gjysmë e zbrazët. Gjatë fjalimeve të deputetëve, përmendeshin edhe tema tjera aktuale përpos rishikimit të Buxhetit, por deputetët “argëtoheshin” edhe me tabela me mbishkrime.
Debati mori në intensitet pas fjalimit të deputetes nga radhët e LSDM-së, Keti Smilevska, e cila mes tjerash numëroi shkurtimet që parashihen me rishikimin e Buxhetit, të cilat sipas saj janë harxhime joproduktive. Ajo përmendi shkurtimet që bëhen nga buxheti për Kryeministrin, për kulturë, për infrastrukturë, por edhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Ndaj fjalimit të Smilevskës, që vjen nga qyteti i Prilepit, reaguan më shumë deputetë të VMRO-DPMNE-së, në mesin e të cilëve edhe Vlladimir Gjorqev, i cili numëroi më shumë fabrika që janë hapur gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së.
Më tregoni një fabrikë të vetme, vetëm një, të cilën e ka ndërtuar cilado qoftë Qeveri në Prilep, përfshirë edhe këtë! Nuk ka asnjë të vetme për 27 vite me radhë. Qeveria e mëparshme me VMRO-DPMNE-në dhe Nikolla Gruevskin ndërtoi fabrikën Genter, aty punojnë 1200 bashkëqytetarë tua. Ajo pengon kjo? Doni që t’i lini ata në shtëpi? Aty duhet gjithsej të punësohen gjithsej 3000 punëtorë”, deklaroi Gjorçev.
Gjorqev theksoi se kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, edhe kur tani kur është në opozitë, ishte i pranishëm në hedhjen e gurthemelit për hapjen e një fabrike të re. Ndaj kësaj, reagoi deputetja Smilevska nga radhët e LSDM-së, duke thënë se Gruevski më shumë preferon të jetë i pranishëm nëpër hedhjen e gurthemeleve, se sa të merret me problemet reale të punëtorëve.
Për këtë, ai nuk ka guxim që të ballafaqohet me të punësuarit e atyre fabrikave, për shkak se ata nënshkruajnë kontrata me një vlerë, ndërsa marrin rroga me vlerë tjetër. Pra në mënyrë joreale u shpaguhet mundi. Për të mos qenë kjo kështu, kjo Qeveri ka paraparë subvencionimin e kompanive të vogla dhe të mesme në vlerë prej 135 milionë denarëve” tha Smilevska.
Debati për rishikimin e Buxhetit në Kuvend do të vazhdojë edhe nesër, kur edhe duhet të hedhet në votim.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Vazhdojnë përplasjet mes VMRO-së dhe LSDM-së… by tvshenjaofficial

