Ka forca konstruktive në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari për zgjidhjen e problemit. Kështu ka deklaruar Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut , Tomas Vajc, i cili është shprehur optimist i matur se mund të gjendet një rrugëdalje nga ngërçi për ndryshimet kushtetuese dhe se vendi mund të ecë përpara në rrugën drejt BE-së.
Në një intervistë për “360 gradë” pas prezantimit të draft-raportit për Maqedoninë e Veriut në Komitetin për Punë të Jashtme, Vajc thotë se forcat konstruktive në të dyja anët do të gjejnë mënyra për të vazhduar përpara.
TOMAS VAJC, RAPORTUESI I PARLAMENTIT EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT
“Shoh forca konstruktive që përpiqen të gjejnë mënyra për të dalë nga situata që ka qenë shumë e tensionuar vitet e fundit dhe më vjen shumë keq për këtë, sepse në këtë situatë gjeopolitike ku ndodhemi sot, mendoj se të gjithë evropianët duhet ta kuptojnë: ose do të qëndrojmë bashkë dhe do të punojmë ngushtë me respekt të ndërsjellë, ose do të margjinalizohemi në botën e re që po shohim sot”.
Sipas tij, është e rëndësishme që qeveria në Shkup të vazhdojë me reformat, pasi këtë vit nuk ka zgjedhje.
TOMAS VAJC, RAPORTUESI I PARLAMENTIT EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT
“Pra, ky është vit për zbatimin e reformave, jo vetëm për ndryshimet kushtetuese, por edhe për të ashtuquajturën Agjendë Reformuese. Plani i rritjes është një çështje e rëndësishme. Ende nevojiten reforma dhe nëse ato nuk zbatohen deri në qershor, vendi mund të humbasë 47 milionë euro mbështetje buxhetore nga Bashkimi Evropian. Do të më vinte shumë keq për këtë”.
Megjithatë, Vajc është më i rezervuar lidhur me kërkesën e kryeministrit Hristijan Mickoski që të mos ketë kërkesa të tjera në rrugën drejt BE-së, duke theksuar se këto janë çështje të Këshillit Evropian. Ai tha se asnjë vend nuk e bllokon përparimin e Maqedonisë së Veriut , por është vendosur vetëm një çështje — ndryshimet kushtetuese.
Samir Mustafa /SHENJA/


