Një operacion i përbashkët i Departamentit të Policisë Kriminale dhe Njësitit të Luftimit të Trafikimit me drogë ka rezultuar me arrestimin e një personi të quajtur R.K. (45), i cili më parë ishte dënuar me 15 vjet burg për tregtim droge. Nga Prokuroria Themelore Publike njoftojnë se hetimet, që kanë zgjatur nga shtatori 2023 deri në janar 2024, kanë treguar se ky person ka vazhduar aktivitetin e paligjshëm duke blerë, paketuar, dhe shpërndarë kokainë, heroinë dhe marihuanë. Gjatë bastisjeve në lagjen Gazi Babë në Shkup, të koordinuara me njësinë policiore Tigrat, autoritetet kanë zbuluar sasi të konsiderueshme të drogës, peshore digjitale, dhe një inventar të pasurisë me vlerë rreth 120 mijë euro. Pajisjet dhe pasuria dyshohet se janë blerë me të ardhurat e paligjshme nga shitja e drogës.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Gjatë hetimit janë siguruar provat materiale dhe është konstatuar se i dyshuari 45-vjeçar ka bërë blerje kokainë, heroinë dhe marihuanë dhe më pas i ka ripaketuar dhe rishitur me çmim prej 3000 denarë për një pako kokainë, prej 600 deri në 1000 denarë një pako heroinë dhe 600 denarë për pako marihuanë. Gjatë hetimeve u siguruan prova se ai u shiste drogë një numri të madh personash”.
Pas pranimit të kallëzimit penal, Prokuroria Themelore Publike Shkup gjatë ditës së nesërme do të nxjerrë Urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj të dyshuarit për veprën penale – Prodhimi dhe vendosja në treg e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 i Kodit Penal. Nga Prokuroria më tej shtojnë se gjatë procedurës ndaj të dyshuarit do të kryhet hetim financiar. Nëse vërtetohen dyshimet se pajisjet e gjetura, mjetet e transportit dhe pasuritë e paluajtshme janë përfituar me mjete financiare të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, Prokuroria Publike do të nisë procedurën e konfiskimit, sipas dispozitave ligjore.
Samir Mustafa /SHENJA/