Temperaturat e larta të cilat ditëve të fundit kanë arritur fazën portokalli, kanë gjetur qytetin e Tetovës pa ujë të pijshëm. Një pjesë e madhe e këtij qyteti tash më një periudhë të gjatë ballafaqohet me problemin e ujësjellësit. Këtë e konfirmojnë edhe banorët, të cilët thonë se problemi me ujin është shumëvjeçar.
BANORË:
Problem ka dhe gjithmonë ka pas”
Ujë nuk kena hiq jo nuk po ndalet. Unë përvete nuk kam ujë që tre muaj”.
Tetova nuk ka ujë. Vetëm kur vijnë votat thonë se do e sjellin ujin. Edhe një fshat Nerashtë edhe ai nuk ka ujë”.
Të përballur me këtë situatë, banorët janë të detyruar që në këto temperatura të larta, të ecin me kilometra për t’u furnizuar me ujë nëpër burimet. Ndërsa, në lidhje me këtë çështje, ata akuzojnë autoritete për të cilët thonë se nuk kanë punuar për të zgjidhur këtë problematikë dhe as për të realizuar premtimet e dhëna.
BANORË:
10 tendera, krimi madh, komuna bankrot. Akoma shkojnë me avazin e vjetër. Kujt t’i ankohemi nuk ka shtet këtu. Zonja Arifi nuk merret me komunë, kot presim ta hjekim nga Tetova. Asnjë refromë nuk është bërë në Tetovë. Jo vetëm uji, ndërmarrja publike në Tetovë JPK duhet të privatizohet menjëherë. Aty ka njerëznuk merret vesht kush punon, kush hanë dhe kush pi. Të hollat i marrin, i kërkojnë, me kanalizim, me ujë, ndërsa asnjëherë nuk realizohet. 4 vjet vetëm premtime të kota”.
Kemi problem. Kemi ujë, por pijmë në një vijë me derrat. Vetëm për të larë tesha dhe për të larë diçka tjetër. Tërë pranverën ashtu kemi qenë”.
Ujë mbushim me shishe. 5 vjet nuk kemi as ujë as rrymë. I kemi të gjitha dokumentet. Gruevski nuk i bëri, por Zaevi pse nuk i rregullon, na premtoi se do na rregullojë rrymën dhe akoma asgjë. Ujë nuk ka asnjë pikë, vdes njeriu, po të alivanoset nuk ka ujë”.
Ndërkohë, nga ndërmarrja publike për ujësjellës, janë arsyetuar se për shkak të keqpërdorimi nga ana e qytetarëve janë detyruar që të vendosin për ndërprerjen e ujit në periudha të caktuara të ditës.
Qyteti i Tetovës furnizohet me ujë për pije me sasi prej 370 l/s. Si rezultat i keqpërdorimit të ujit për pije nga ana e qytetarëve dhe duke marrë parasysh temperaturat e larta që regjistrohen ditëve të fundit, kemi restriksion prej disa orëve edhe atë nga 00:30 deri në orën 03.00 të mëngjesit. NPK “Tetova” Tetovë iu bën apel qytetarëve që në mënyrë racionale të bëjnë shfrytëzimin e ujit të pijshëm, sepse vetëm kështu nuk do të paraqiten mungesa të sasisë së ujit në lagjet e epërme të qytetit. Gjithashtu ju informojmë se së shpejti do lëshojmë në funksion linjën e re prej 200 l/s me çka do kemi sasi të mjaftueshme”, thonë nga NPK Tetova.
TV SHENJA ka kërkuar qëndrim zyrtar edhe nga Komuna e Tetovës, nga e cila deri tani nuk kemi marr asnjë përgjigje.
Teuta Buçi /SHENJA/
Tetova pa ujë në mes të verës by tvshenjaofficial

