Të punësuarit në kombinatin “Jugohrom” në Jegunovcë të Tetovës, të organizuar nga Sindikata “Jugohrom Alzar” kanë protestuar sërish sot, ku si shenjë proteste kanë mbajtur të bllokuar disa orë Tetovë-Shkup në të dy drejtimet, duke kërkuar nga organet qeveritare që të tërheqin vendimin për pezullimin e punës së këtij kombinati. Ata kanë thënë se punëtorët deri tash janë në marrëdhënie pune, megjithatë akoma nuk dihet se çfarë do të ndodh më tutje.
“Qeveria është organ kompetent e cila mund të anuloj vendimin e inspektoriatit. Në moment ata janë ende në detyre, e kryen atë detyrë dhe shpresojmë se nesër do të sjellin një vendim pozitiv”, tha njëri nga protestuesit.
Por, nga ana tjetër, organizata joqeveritare Eco Guerilla thotë se Jugohrom është ndotësi më i madh i ndotjes. Nëpërmjet një komunikate të dërguar për media, nga kjo organizatë kanë informuar se gjatë muajit shkurt mesatarja e ndotjes së ajrit në Tetovë ka shënuar rënie të mëtejshme, krahasuar me muajin janar por edhe me vitet e kaluara.
“Edhe njëherë ky informacion vërteton se Jugohrom është ndotësi më i madh i Pollogut, dhe se puna e këtij kombinati pa filtra është e dëmshme për shëndetin e qindra mijëra banorëve të rajonit. Pa Jugohromin Tetova rezulton me 50% ulje të ndotjes”, thonë nga organizata Eco Guerilla.
Protestuesit kanë paralajmëruar se nesër është paraparë që krerët e sindikatës të takojnë kryeministrin Emil Dimitriev, nga ku presin se do të mësohet se çfarë do të ndodh me fatin e 800 punëtorëve që kanë mbetur pa punë. Nëse vendimi nuk ndryshon atëherë ata do të vazhdojnë me protestat. Jugohromi njihet si ndotësi më i madh i rajonit të Tetovës dhe rrethinës. Për këtë shkak Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor në nëntor të vitit të kaluar solli vendim për ndërprerjen e të gjitha furrave.
Teuta Buçi /SHENJA/
Të punësuarit në “Jugohrom” në protestë… by tvshenjaofficial

