Reformat në gjyqësor do të fillojnë kur “prokurorët dhe gjykatësit e ndershëm” do të ngrenë hetime kundër kolegëve të tyre “të pandershëm”. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për filtrimin e sistemit gjyqësor nga ata që e kanë keqpërdorur ligjin. Ky është vizioni i gazetarit Lubisha Stankoviç, të cilin ai e shpalosi në emisionin “Arena”. Stankoviç vëri në dukje se rivlerësimi masiv që është paralajmëruar nga LSDM është shumë vështirë të realizohet, prandaj duhet gjetur masa alternative për reformat në gjyqësor.
“Nuk mund të presim nga prokuroria e Zvërlevskit që të bëjë diçka. Mirëpo, edhe në këtë prokurori të rregullt, siç e quajmë, ka profesionistë të mrekullueshëm. Un pres që pikërisht ata njerëz të iniciojnë, të fillojnë të pastrojnë radhët e tyre. A do të bëhet kjo me hetimin e kolegëve të tyre që me vite kanë damkosur profesionin e tyre..këtë nuk e pres vetëm unë, por e pret i gjithë opinioni”, tha gazetari Lubisha Stankoviç.
Ndërkohë, analisti Qenan Aliu kujton disa momente ku sistemi gjyqësor ka qenë i padrejtë ndaj shqiptarëve duke theksuar se partitë qeverisëse në largim kanë një përgjegjësi të madhe për vuajtjet e shqiptarëve.
“Ndikimi i politikës, konstruktin për ta nxjerrë një vepër të rëndë penale, për ta bërë të lehtë, ata e konstruktojnë prej tek prokurorët poltron. Të mos keqkuptohemi, nuk do të thotë se në Maqedoni nuk ka gjyqtarë dhe prokurorë dinjitoz dhe me plot integritet. Ka plot prej tyre. Por ne flasim për katarsën që duhet të zgjidhet në këtë shtet”, tha analisti Qenan Aliu.
Duke folur për vendimin e fundit të gjykatës themelore për të liruar me kusht huliganët që rrahën deputetët, avokati Bujar Dardhishta, thotë se ky vendim është tregues i qartë se në çfarë gjendje është drejtësia në Maqedoni, “për dikë nënë, për dikë njerkë”.
“Për mendimin tim është një vazhdimësi e dënimeve skandaloze, të njëanshme, selektive, që kemi qenë dëshmitarë që kanë qenë edhe në të kaluar. Por dua të theksoj edhe një gjë. Realisht edhe kriza politike në Maqedoni, duke filluar nga rastet e të ashtuquajtura ‘bomba’, filluan pikërisht nga shkelja e ligjit, nga abuzimi me ligjin, për arsye se pushtetarëve, sidomos VMRO-DPMNE-së, të qenurit në pushtet ua jepte ndjesinë e të pandëshkueshmëve, e të paarritshmëve”, tha avokati Bujar Dardhishta.
Të ftuarit në emisionin “Arena”e përkrahin idenë që Prokuroria Speciale të integrohet tërësisht në prokurorinë e rregullt dhe në këtë mënyrë të ketë më shumë buxhet dhe kompetenca për të luftuar më me efikasitet krimin dhe korrupsionin.
Abdulla Berisha /SHENJA/

