Pjesëtarë të Grupit të Kumanovës u revoltuan nga deklaratat e Sevdail Miftarit, i cili doli në mbrojtje të Ali Ahmetit dhe BDI-së pasi sipas tij, Ahmeti ka dashur vetëm t’i ndihmojë grupit e jo ta fusë në kurth. Miftari ndryshoi edhe deklaratën e tij paraprake në të cilën akuzonte shërbimin sekret dhe një agjent shqiptar për kurth. Sot nuk përmendi asnjë emër dhe refuzonte të pranojë a ia di emrin inspektorit Armend dhe tre personave të tjerë që kanë hapur korridorin për largimin e anëtarëve të grupit në Maqedoni.
“Një person që dëshiron të tradhtojë nuk ta hap telefonin. Unë nuk e kam dashur kurrë BDI-në dhe as nuk kam votuar për to pasi kam 7 anëtarë të familjes që kanë qenë në UÇK dhe asnjëri nuk është i punësuar”, i akuzuari Sevdail Miftari.
Avokatët, por edhe të akuzuarit e pyesnin me ngulm Miftarin nëse dikush e ka kërcënuar dhe prandaj tani ka dalë në mbrojtje të Ahmetit, por ai ishte decid se ky është mendimi i tij personal.
“A je i sigurt se Ali Ahmeti nuk na ka tradhëtuar?”, pyeti i akuzuari Nasur Beqiri.
“Po”, u përgjigj i akuzuari Sevdail Miftari
“Ty të ka mësuar dikush ta mbrosh atë kriminel. TURP të qoftë”, iu kundërpërgjigj Nasur Beqiri.
Por, Sevdail Miftari theksoi se inspektorët e kanë kërcënuar me familje për të dëshmuar kundër katër të akuzuarve, Irfan Lutfiu, Fadil Fejzullahu, Arsim Bajrami dhe Besnik Ajdini pasi që kishin ç’kyçur kamerat e sigurisë në prokurori. Madje ai pohon se edhe prokuroria ka qenë në dijeni për këtë fakt dhe vetëm kanë pyetur për konfirmim se a ishin inspektorët dhe a bisedove me ta. Prokuroria reagoi ashpër ndaj këtyre deklaratave duke e quajtur si fyerje ndaj tyre.
Avokati i Sevdail Miftarit,Naser Raufi tha se ai nuk e di nëse dikush e ka kërcënuar klientin e tij dhe përse ai e ndryshoi deklaratën paraprake duke refuzuar të përmend emra zyrtarësh të implikuar në rast.
“Nuk tha që ka involvim të ndonjë strukture ose partisë politike shqiptare, posaçërisht jo të BDI-së. Këtu kishte reagime nga të akuzuarit duke menduar se ky fsheh ndonjë emër…Tani u tërhoq por unë jam i sigurt se nuk ka kërcënime në bazë të bisedës që e kemi bërë. Fillimisht përmendi disa emra ndërsa tani reteroi, por unë vërtetë nuk e di arsyen e kësaj tërheqje”, tha avokati Naser Raufi.
Teksa, Miftari jepte deklaratën vazhdimisht nga bankat e të akuzuarve dëgjoheshin britma të tipit – gënjën, gënjeshtër dhe të shara.U denoncua edhe vrasja e Fatlum Vishellës që sipas grupit, është vrarë pasi që kishin pushuar të shtënat, pas asnjë paralajmërim nga policia.
Miftari tha se teksa kishin lëvizur nëpër territorin e Maqedonisë, vazhdimisht kishin fluturuar dronë dhe helikopterë dhe madje kishin parë edhe autoblinda të policisë, po as edhe në një moment policia nuk i ka ndalë për t’i kontrolluar.