Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka kritikuar hapur rolin e koalicionit VLEN në qeveri, duke thënë se ata janë të pafuqishëm për të ndikuar edhe në vendime të thjeshta administrative. Ai gjatë emisionit të mbrëmshëm Debat në Shenja, akuzoi disa zëvendësministra të koalicionit VLEN për mungesë angazhimi dhe papërgjegjësi institucionale. Sipas tij, një pjesë e zëvendësministrave nuk kanë as prezencë të rregullt në zyrat e tyre dhe madje disa nuk kanë as infrastrukturën bazë për të ushtruar detyrën.
Arben Taravari, Kryetar i ASH-së
“Kemi zëvendësministra që nuk shkojnë as në punë. Disa shkojnë vetëm një herë ose dy herë në javë. Nuk është vetëm një ose dy, janë shtatë. Vetëm tre prej tyre kanë qenë aktivë dhe kanë treguar interes real për detyrën që mbajnë. Tre zëvendësministra kanë qenë aktivë, të cilët janë interesuar. Disa nuk kishin as zyra, as veturë zyrtare nuk kishin. Ata e dinë vetë se kush janë” .
Taravari më tej ka rikujtuar kohën kur ishte pjesë e koalicionit VLEN dhe përmendi rastin e emërimit të një drejtori në një fshat të Strugës, ku vendimi për drejtorin u mor pa konsultim me komunitetin, duke shkaktuar revoltë dhe pakënaqësi. Ai tha se së bashku me zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, ishin të pafuqishëm për të ndërruar drejtorin.
Arben Taravari, Kryetar i ASH-së
“Quhet një fshat Podgorc, në Strugë. Aty çdoherë drejtor ka qenë torbesh ose shqiptarë. 95% e popullatës janë myslimanë. Herën e parë pas 35 viteve u vendos një ushtrues detyre – një maqedonas me tatuazh në të gjithë trupin”.
Sa i përket raporteve me ish bashkëpartiakun e tij, Zijadin Sela, Taravari tha se nuk ka asnjë armiqësi personale dhe pavarësisht mosmarrëveshjeve që kanë ndodhur, është i hapur për bashkëpunim në të ardhmen.
Teuta Buçi /SHENJA/