Njëri nga liderët e koalicionit VLEN Arben Taravari, shprehet i gatshëm të diskutoj për të gjitha çështjet që kanë mbetur të pazgjidhura nga e kaluara, qoftë edhe ajo e ndryshimit të stemës shtetërore. Taravari, thotë se është mirë të diskutohen si një pako e çështjeve të pazgjidhura siç janë, himnin, stemën, e 20%-shin në Kushtetutë. Ndërsa, konkretisht për idenë e ndryshimit të stemës, që e shpaloi një ditë më parë kryeministri, Taravari, nuk e kundërshton këtë ide, por thotë se vendi ynë është një nga shtetet e rralla postsocialiste, stema e së cilës nuk është ndryshuar.
Arben Taravari, VLEN
“Kështu që ne jemi të gatshëm, flas në emër të VLEN-it, t’i hapim këto biseda, por t’i zgjedhim në pako disa çështje të pazgjidhura vite me radhë. Dmth këtu nënkuptoj himnin, stemën, 20%-shin në Kushtetutë, plot tema që janë mund se të imëta, që vazhdimisht prolongohen duke mos i zgjedhur. Ne kemi gatishmëri që të ulemi dhe t’i bisedojmë këto gjëra, por t’i zgjidhemi në një pako, që mos të merremi me këto çështje, të merremi me çështje ekonomike, me zhvillim ekonomik, me jetë më të mirë, me anti-korrupsion, me eurointegrime”.
Nga LSDM-ja opozitare, të cilët që dje u shprehën kundër idesë së ndryshimit të stemës, deklaratën e Arben Taravarit e cilësojnë si shokuese. Sipas tyre, për të më me rëndësi janë çështjet e hapura si himni dhe stema, se sa fokusimi tek problemet e ekonomisë, pagat e shëndetësia.
Metodija Ilievski, nënkryetar i LSDM-së
“Kjo deklaratë shokuese e ministrit Taravari, i cili merret me gjithçka përveç se me shëndetësi, për çka është i obliguar, vërteton se Qeveria është tërhequr plotësisht nga ajo që vërtetë është me prioritet për qytetarët. Në vend të zgjidhjeve për problemet reale, varfërinë e cila rritet dhe standardin e qytetarëve, Qeveria merret me tema nga e kaluara për ta tërhequr vëmendjen nga e tashmja e dhimbshme”.
Kujtojmë se, herën e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide.
Emine Ismaili /SHENJA/