Këtë javë LSDM realizon konsultime me partitë shqiptare për përmbylljen e seancës konstituive të Kuvendit, formimin e trupave parlamentar si dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit. Sot kreu i LSDM-së, Zoran Zaev ka takuar një delegacion të Lëvizjes Besa, kryetarin e kësaj partie, Bilall Kasami, nënkryetarin Zeqirja Ibrahimi dhe kryetarin e RDK-së, Fadil Zendeli.
“Takimi ishte në drejtim të konsultimeve për debllokimin e institucioneve me qëllim që Maqedonia të kthehet në procesin e integrimeve dhe vazhdimin e punës së institucioneve”, ka thënë Kasami.
Në një kumtesë me shkrim të lëshuar pas takimit, nga Lëvizja Besa njoftuan se kjo parti do të vazhdojë edhe më tej me relin konstruktiv në debllokimin e institucioneve dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet vendi.
“Gjithashtu janë biseduar edhe modalitetet e mundshme për dalje nga kriza me të cilën po ballafaqohet vendi, për të kërkuar mundësi për funksionalizimin e institucioneve. Kontaktet ndërmjet partive do të vazhdojnë edhe ditët në vijim. Shfrytëzojmë rastin që edhe një herë të potencojmë se Lëvizja BESA edhe më tej do të luajë rol konstruktiv duke qenë pjesë e zgjidhjes e jo pjesë e problemit”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes BESA.
Dje një takim i ngjashëm është zhvilluar edhe mes drejtuesve të LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim. Nga partia e Zoran Zaevit nuk caktuan një datë se kur pritet të thiret vazhdimi i mbledhjes konstituive, por thanë se kjo do të mësohet pasi të përfundojnë konsultimet me të gjitha partitë.
“Ju jeni dëshmitarë se gjatë kësaj jave në rjedhë janë konsultime me partitë politike që e kanë kanë dhënë nënshkrimet për mandate për formimin e Qeverisë së re. Kur do të kemi situatë të qartë do t’ë njoftojmë opinionin…E dini mbrëmë kishim takim me BDI-në, tani kemi me lëvizjen BESA. Duhet të dalim me konkluza të përbashkëta për të gjitha çështjet dhe lidhur me to ta njoftojmë opinionin për konkluzat”, ka deklaraur Petre Shilegov, LSDM.
Shilegov edhe një herë i bëri thirrje presidentit Gjorgji Ivanov që të respektojë vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe t’i jep mandatin kreut të kësaj partie, Zoran Zaev. Zëdhënësi i LSDM-së, akuzoi Ivanovin se me udhëtimin e tij në Azerbejxhan ka lënë vendin pa udhëheqës pasi Kuvendi nuk ka kryetarë, ndërsa Qeveria është me mandate të kufizuar.
Arben Zeqiri /SHENJA/
LSDM konsultohet me partitë shqiptare për… by tvshenjaofficial