Studentët këtë të hënë, e zgjuan Shkupin në këmbë. Brohorimat e tyre dhe thirrje për zbatimin e shqipes, jehuan më lartë se sa flamujt që mbanin në duar. Mijëra studentë të tre universiteteve shqiptare u mblodhën bashkë, për një kerkesë të vetme, provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në shqip. Paaftësia e qeverisë së kaluar për të mos çuar proceset deri në fund, apo qeverisë aktuale për të mos u angazhuar seriozisht në këtë drejtim, bënë që edhe edhe në vitin 2026, të protestohet për gjuhën shqipe.
MARKETING
Nën pankartat “Shqipja nuk negociohet”, “Gjuha shqipe është zyrtare”, “Studentët nuk tolerojnë”, “Drejtësi, barazi!” “Nuk ka shtet pa rini”, “Ne flasim shqip”, protesta studentore nisi nga “Ura e Gurit” dhe përfundoi te Ministria e Drejtësisë, ku u kërkua dorëheqje e ministrit të Drejtësisë Igor Filkov dhe dorëheqje të kryeministrit Hristijan Mickoski.
Njëri prej organizatorëve të protestës Mevlan Ademi, u shpreh se gjuha shqipe nuk është opcion, është identitet.
Mevlan Ademi, student
“Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Le të jetë e qartë për të gjithë. Ne nuk jemi kundër askujt, ndoshta kundër Filkovit…Ne jemi këtu për veten tonë, për gjuhën tonë, për të ardhmen tonë. Mandela thoshte të flasësh me dikë në gjuhën e tij don të thotë t’i flasësh me zemër. Prandaj sot ne kerkojmë që shteti të na flet me zemër, me gjuhën tonë në shqip”.
Ndërkaq, studentët e universiteteve “Nënë Tereza”, “Universitetit të Tetovës” dhe të Europës Juglindore, u shpreën se kjo protestë nuk është kundër askujt, por një thirrje për drejtësi, barazi dhe respekt ndaj procesit akademik dhe profesional.
Besar Sejdiu, kryetar i parlamentit studentor të Universitetit “Nënë Tereza”
“Kërkesa jonë është e qartë. Respektojeni Kushtetutën dhe ligjin, as më shumë e as më pak…Kolegët tanë kanë të drejtë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Cdo zvarritje është përpjekje për të na mohuar një të drejtë që na është mohuar prej shumë vitesh. Gjuha Shqipe është zyrtare, nuk negociohet”.
Besjan Rexhepi, kryetar i parlamentit studentor pranë UEJL-së
“Kjo nuk është kërkesë emocionale, por një çështje parimore…Në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut, kemi nevojë për zgjedhje të qarta, të plota dhe të qëndrueshme ligjore, që respektohen në realitetin shoqëror dhe diversitetin e këtij vendi…Prandaj, ky është një moment reflektimi për të gjithë faktorët institucional dhe politik”.
Jon Selimi, student
“Ligjet nuk prodhojnë obligime vetëm për qytetarët, por edhe për institucionet shtetërore dhe ky ligj flet qartë, nuk kërkon as ndryshime, as harmonizime e as iniciativa të reja, kërkon vetëm vullnet për ta zbatuar ashtu siç është. Kërkesa jonë është e thjeshtë. Zbatojeni ligjin, asgjë më shumë, e asgjë më pak”.
Protesta e studentëve u përkrah edhe nga shumë profesorë të tyre nga të tri universitetet. Organizatorët paralajmërojnë se nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre, do të vijojnë edhe me protesta të tjera.
Emine Ismaili /SHENJA/


