110 mijë shkelje ka detektuar sistemi “Safe City” në 24 orët e fundit edhe atë vetëm në kryeqytet duke llogaritur si shkelje tejkalim të shpejtësisë edhe 1 km më tepër se shpejtësia e lejuar.
I pyetur nga TV Shenja, Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se në diskurs janë dy modele, ai i Zvicrës që nuk parasheh tolerancë fare ose që të ketë tolerancë si disa vende të Bashkimit Eruopian.
Ai tha se dënime do të ketë edhe për ministrat dhe zyrtarët që do të shkelin rregullat në komunikacion dhe do të kapen nga kamerat e sistemit “Safe City”, përjashtim sipas Toshkovskit do të ketë vetëm për auto-ambulancat dhe veturat nën shoqërim.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Ka vende në Evropë ku nuk ka tolerancë fare, ka vende ku toleranca është 10% mbi shpejtësinë e lejuar. Do të diskutojmë në periudhën e ardhshme dhe do të vendosim. Ministrat do të gjobiten. E di që në periudhën e fundit janë gjobitur së paku tre ministra. Nuk do t’i përmend emrat tani. Kur ministrat udhëtojnë me automjete zyrtare dhe me shoqërim policor, nuk mund të gjobiten, por edhe ne përdorim automjete private dhe besoni se as ne nuk do të lihemi pa përgjegjësi”.
Për tolerancën në komunikacion,foli edhe kryeministri Hristija Mickoski. Ai tha se vërejtje shoferët do të marrin edhe nëse shoferët kapen duke vozitur 50.5 km në orë. Mickoski theksoi se e mbështet plotësisht zbatimin e projektit “Safe City“.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Edhe me 50,5 do të marrin vërejtje, sepse ka rregulla që përcaktojnë çfarë nënkupton shpejtësi e përshtatshme dhe e papërshtatshme. Nëse arrijmë të shpëtojmë qoftë edhe një jetë njerëzore, unë jam i gatshëm ta marr gjithë barrën mbi vete dhe ta pranoj të gjithë përgjegjësinë politike – mjafton të shpëtojmë qoftë edhe një jetë, sepse një pjesë e atyre jetëve njerëzore humben për shkak të mosrespektimit të rregullave të trafikut, dhe më së shpeshti kjo ndodh nga shpejtësia e papërshtatshme”.
Sipas informacioneve zyrtare 90% e shkeljeve kanë të bëjnë me tejkalim të shpejtësisë ndërkaq 5 000 shkelje për kalim në semafor të kuq. Toshkovski njoftoi gjithashtu se “Safe City” ka regjistruar edhe afërsisht mbi 1 mijë vetura të paregjistruara.
Toshkovski tha se startimi i sistemi “Safe City” mund të mos nis më 1 janar, siç është paralajmëruar dhe mund të prolongohet për një muaj dhe të starojë me gjoba më 1 shkurt.
Mevludin Imeri /SHENJA/


