Nga nesër, hyn në fuqi sistemi i ri evropian për hyrje dhe dalje (EES – Entry/Exit System). Tash e tutje regjistrimi digjital do të zëvendësojë vulat e deritanishme në pasaporta për të gjithë shtetasit e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, përfshirë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Sistemi i ri sjell ndryshime të dukshme në procedurat kufitare, duke vendosur një mënyrë të unifikuar dhe të automatizuar të regjistrimit të hyrje-daljeve në territorin e Bashkimit Evropian. Në praktikë, kjo nënkupton se çdo kalim kufitar do të regjistrohet në mënyrë elektronike, duke eliminuar nevojën për vulosje fizike të dokumenteve të udhëtimit.
MARKETING
Ministria e Punëve të Brendshme thekson se me me vendosjen e EES, hyrjet dhe daljet do të regjistrohen elektronikisht, ndërsa sistemi do të mundësojë përpunimin e të dhënave bazë biometrike (shenjat e gishtërinjve dhe fotografi), me qëllim identifikim më të shpejtë dhe ndjekje më efikase të qëndrimit të lejuar sipas rregullit “90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh”, gjë që mund të rrisë kohën e pritjes në pikat kufitare gjatë hyrjes në BE theksuan nga MPB.
Ndërkaq, MPB njofton se nga ana e Policisë Kufitare janë ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme, ku përkatësisht janë vënë në funksion të gjitha burimet materiale-teknike dhe njerëzore në dispozicion, sic thonë ata me qëllim sigurimin e një qarkullimi të shpejtë dhe të pandërprerë të udhëtarëve./SHENJA/


