Atëherë kur duhet të pushojnë, punëtorët do të rikthehen në rrugët e Shkupit më 1 maj, por jo për të festuar, por për të protestuar. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, njofton edhe për një protestë masive më 1 maj, përkatësisht në Ditën Ndërkombëtare të Punës. Ata kërkojnë rritje të menjëhershme të pagave, duke theksuar se standardi jetësor i qytetarëve vazhdon të përkeqësohet. Kreu i LSM-së bëri të ditur se protesta do të mbahet më 1 Maj, me fillim nga ora 11:00.
MARKETING
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË
“Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, që nga fillimi i vitit, ka organizuar disa protesta dhe disa bllokada dhe ne vazhdojmë me protestat, pra më 1 Maj dalim sërish në rrugë së bashku me punëtorët. Duke qenë se është vikend i zgjatur, këtë konferencë për shtyp e mbajmë sot që të gjithë punëtorët të planifikojnë nëse pagat e tyre janë rritur mjaftueshëm për të përballuar një vikend të zgjatur për 1 Majin apo do të na bashkohen në rrugë, krah për krah, për të luftuar që pagat e tyre të rriten edhe më shumë”.
Duke pasur parasysh rritjen e çmimeve, Trendafilov tha se rritja e pagave është e domosdoshme, ndaj ai bëri thirrje për të gjithë punëtorët dhe sindikatat e tjera që të bashkohen në protestë.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË
“Anëtarët e LSM-së, respektivisht udhëheqësit, familjet e tyre dhe njerëzit që luftojnë për rritjen e pagave të punëtorëve do të jenë në rrugë më 1 Maj, dhe për këtë arsye i ftojmë të gjithë punëtorët, madje edhe të gjitha sindikatat e vërteta, që më 1 Maj, në vend të koktejeve të shtrenjta në hotele dhe restorante luksoze, të organizojnë protestë të 1 Majit, ku do të tregojnë se pagat në Maqedoni janë të ulëta”.
Sipas të dhënave që kanë siguruar nga institucionet, Trendafilov njoftoi se rreth 50 për qind e punëtorëve në vend marrin paga më të ulëta se 600 euro. Nga LSM thonë se paga minimale është harmonizuar pa pëlqimin e sindikatave dhe pa dialog social, gjë që sipas tyre ka dëmtuar drejtpërdrejt punëtorët.
Samir Mustafa /SHENJA/

