Punëtorët nuk heqin dorë nga kërkesa për rritjen e rrogës. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë mëngjesin e sotëm për dy orë bllokoi dy rrugët kryesore që të çojnë në Kuvend, gjegjësisht nga ora 09:00 deri në orën 11:00, kur ishte e caktuar seanca në Kuvend, me qëllim që të mos lejojnë deputetët të shkojnë në punë me veturë. Kryetari Sllobodan Trendafilov u shpreh se deputetët dy vjet po e bllokojnë propozimin e LSM-së për rritjen e pagave të punëtorëve, ose rritjen e pagës minimale dhe rritjen e pagave të tjera për së paku 6,000 denarë.
Sllobodan Trendafilov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë
“Informacionet e mia janë se deputetët janë zgjuar herët në mëngjes, erdhën para orës 9 në punë, vetëm që mos të përballen me punëtorët në rrugë, sepse kanë turp nga ata. Kanë turp nga votuesit e tyre sepse refuzojnë ta rrisin pagën e punëtorit, ndërsa nga ana tjetër paga e deputetit do të rritet jo për 9,2%, siç e llogarit guvernatori i Bankës Popullore, por për 12,6”.
Sindikalistët kërkuan që kërkesa e tyre për rritjen e pagave të vendoset në rend ditë në Kuvend.
Lupço Radovski, kryetar i Sindikatës i Tekstilit
“Ne jemi mbledhur që të zgjedhurve të popullit t’i themi se si institucioni më i lartë ligjvënës të votojnë për rritjen e pagave, sepse me këtë pagë minimale që tani e marrim e kemi varfëruar punëtorin tonë, gjegjësisht qytetarët. Kështu që kemi bërë kërkesë te Kuvendi ta vendos këtë çështje në rend dite”.
Nënkryetari i LSM-së thotë se nëse nuk pranohen kërkesat e tyre do të vijojnë me mbledhjen e nënshkrimeve për të ulur pagat e funksionarëve.
Igor Gerasov, nënkryetar i LSM-së
“Mendoj se kërkesat tona nuk do të pranohen dhe ne jemi të gatshëm që në periudhën që vijon, ashtu siç kemi deklaruar, se do të mbledhim 10 000 nënshkrime që të mund ta paraqesim kërkesën tonë”.
Zyrtarët policorë kishin siguruar objektin e Kuvendit nga të gjitha anët dhe hyrjet e saj dhe kishin vendosur edhe barrikada. Protestën LSM do ta vazhdoj të ejten duke bllokuar Odën Ekonomike të Maqedonisë dhe të martën bllokon Qeverinë.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/


