Ceremonia qëndrore e festës së Flamurit, u shënua në qyettin historik të Vlorës. Krahas kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i pranishëm ishte edhe kryeministri Kosovar Albin Kurti. Takimi mes tyre mori dhe vëmendje të shtuar për shkak të krisjes së marrëdhënieve mes dy liderëve kohët e fundit. Ata janë parë në shoqërinë e njëri-tjetrit vetëm gjatë takimeve të shkurtra në margjinat e samiteve të ndryshme botërore ku marrin pjesë.
Në ceremoninë e festës në Vlorë morën pjesë edhe presidenti shqiptar Bajram Begaj dhe kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar krerët e shtetit vendosën kurora me lule dhe u përkulën me respekt pranë monumentit simbol të kurorëzimit të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, si homazh në këtë ditë të rëndësishme kujtese mbarëkombëtare. Krerët e shtetit u takuan edhe me nipin e Ismail Qemalit, Nedin Vlora, i cili ishte i pranishëm në ceremoni e qytetarë të tjerë.
Në 112-vjetorin e pavarësisë, Vlora është veshur kuq e zi dhe qindra qytetarë, mes tyre shumë të ardhur nga Kosova, e vende tjera. Festime u mbajtën edhe në Tiranë e qytete të tjera të vendit. Në kryeqytet për herë të dytë u mbajt Parada e Shqiptarëve, ku u bënë bashkë shqiptarë nga diaspora dhe vendet e rajonit, për të festuar sëbashku. Edhe kufijtë e Maqedonisë së Veriut janë vërshuar nga qytetarë, që janë nisur për të festuar në Shqipërinë e krenarisë.
Emine Ismaili /SHENJA/