Zyrtarizimi i gjuhës shqipe është shndërruar në një mollë sherri mes partive politike për formimin e Qeverisë së ardhshme në Maqedoni. Kjo temë zë vendin kryesorë në retorikën e përditshme të Bashkimit Demokratik për Integrim edhe pse kjo parti shumë herë deri më tani ishte lavdëruar se zyrtarizimi i gjuhës shqipe ishte një nga të arritur më të mëdha të kësaj partie. Konstatimet e këtilla u lansuan që në vitin 2011 dhe në vitin 2012, nga kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti.
“Të mos flasim për gjuhën shqipe tërësisht zyrtare”, kishte deklaruar më 18 maj 2011, Ahmeti.
“Gjuha shqipe është në proces të mbarë dhe gjuha shqipe sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit është gjuhë zyrtare dhe në Maqedoni dhe në asnjë vend nuk ka gjuhë të parë dhe gjuhë të dytë por ka vetëm gjuhë zyrtare dhe gjuha shqipe është zyrtare por është në proces”, pati deklaruar më 10 korrik 2012, kreu i integristëve.
Edhe në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare, zyrtarizimi i gjuhës shqipe ishte kryefjala e video materialeve propagandistike të BDI-së. Në shumë prej tyre dëgjohen mjek, policë dhe administratorë duke u lavdëruar se në të gjitha këto sektorë gjuha shqipe tanimë përdoret zyrtarisht.
“Dua të pyes për legalizimin e shtëpisë!
Zotëri mund të flasim shqip. Po legalizimi I shtëpisë tuaj është tani I mundur. Unë ose një nga 20 miëj të punësuarit shqiptar në administratë mund të ju ndihmojmë ti plotësojmë të gjitha dokumentet, në shqip”
“Unë jam Vjollca Lumani. Më parë mjekët shqiptarë numëroheshin në gishta, tashmë jemi më shumë se 300 specialist dhe qindra të tjerë duke specializuar dhe ne pacientëve ju flasim në gjuhën tonë”
“Dikur kemi qenë njëqind e shtatëdhjetë e tetë shqiptar anëtarë të forcave të policisë. Sot jemi më mijëra dhe qytetarëve ju flasim në gjuhën tonë, gjuhën shqipe”
Përmes zyrtarëve të saj të lartë, por edhe përmes spoteve publicitare, BDI pretendonte se gjuha shqipe përveç se në komunikim zyrtarisht përdoret edhe në të shkruar dhe në dokumentacionet zyrtare.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Shqipja dikur ishte “punë e kryer” për Ali Ahmetin by tvshenjaofficial