Nga muaji në muaj, jeta në Maqedoninë e Veriut po bëhet gjithnjë e më shtrejtë. Të dhënat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, e cila përllogarit shportën minimale sindikale të konsumit, tregojnë se kostot minimale të një familjeje katër anëtarëshe në muajin shkurt janë rritur për pothuajse një mijë denarë krahasuar me janarin.
Sipas të dhënave të LSM-së, shporta minimale sindikale për muajin shkurt arrin në 67.382 denarë dhe, në krahasim me shportën minimale sindikale në janar, është rritur për 969 denarë. Nëse jeton në një banesë me qira prej 60 metrash katrorë, vlera e shportës minimale sindikale rritet në 82.757 denarë. Rritje prej pothuajse një mijë denarësh ka edhe në pjesën e ushqimit, nëse për janarin nevojiteshin minimum 24.211 denarë, në shkurt për të njëjtin qëllim janë dashur 25.156 denarë.
Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, theksoi se për vetëm dy muaj nga fillimi i vitit, harmonizimi i paralajmëruar i pagës minimale që pritet të ndodhë në mars zhvleftësohet nga rritja e shportës minimale sindikale.
SLLODOBAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-së
“Për vetëm dy muaj një familje është më e varfër për dy mijë denarë. Për 24 muaj, pra për aq sa refuzuan të rrisin pagën minimale, vlera e shportës minimale sindikale është rritur për më shumë se 10.000 denarë dhe për këtë arsye, në vend që të përplasen mbi kurrizin e punëtorëve, partitë politike duhet të qëndrojnë me ta, të miratojnë pagën minimale që duhet të jetë 600 euro dhe të rrisin të gjitha pagat e tjera për të paktën 6.000 denarë”.
Kujtojmë se Lidhja e Sindikatave ka mbajtur protestë, madje ka bllokuar Kuvendin dhe Qeverinë, duke kërkuar që paga minimale të rritet në 600 euro. Trendafilov para qeverisë të martën tha se LSM do ti lë hapësirë Qeverisë dhe punëdhënësve, që deri në fund të shkurtit që të bien dakord për rritjen e pagës minimale; në të kundërt, ai paralajmëroi edhe një protestë tjetër dhe organizimin e një greve të përgjithshme.
Samir Mustafa /SHENJA/


