Shporta konsumatore e cila duhej t’i parashihte shpenzimet mujore për një familje 3 antarëshe, ka ndryshuar, tani do ti parasheh shpenzimet për një familje 4 antarëshe, ka njoftuar ministri i ekonomisë dhe punës Besar Durmishi. Ai tha se shporta është në fazën përfundimtare dhe pas verifikimit të përfaqsueshmërisë së sindikatave, në seancën e parë të këshillit ekonomiko social do të vendoset në rend dite.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË DHE PUNËS
“E dimë që është në përfundim formimi i këshillit ekonomiko-social, shporta konsumatore tashmë është në fazë përfundimtare, në momentin që do të formohet ky këshill, ajo do të jetë e disponueshme edhe për partnerët social, për mediumet dhe për qytetarët. Është një shportë konsumatore që do të jetë shumë mirë e përgatitur, të dhënat mujore të cilat do t’i publikojë do ti merrë nga institucionet relevante”
Duke folur për shportën minimale sindikale e cila për muajin qershor për një familje 4 anëtarëshe ishte mbi 64 mijë denarë, Durmishi tha se kjo shportë nuk është reale sepse nuk ka të dhëna të sakta. Ai theksoi se sindikatat në shportën aktuale i marrin çmimet vetëm nga një market, ndërkaq në shportën e re konsumatore tha se çmimet do të merren nga 3 deri në 5 markete .
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË DHE PUNËS
“Shporta konsumatore e sindikatave nuk është reale, prandaj po përgatisim një shportë që do të jetë e përshtatshme, me të dhëna reale dhe realisht do të jenë në njohuri qytetarët se sa shpenzime mujore do ti kenë të nevojshme për një familje 4 antarëshe. Kjo shportë nuk është reale sepse numrat nuk janë të saktë. Në pjesën e ushqimit dhe pijeve kanë vendosur produkte që nuk i takojnë asaj periudhe kohore, ose nuk i takojnë asaj shporte ”.
I pyetur lidhur me çmimet e produkteve ushqimore për të cilat qytetarët vazhdimisht janë ankuar se janë rritur në mënyrë enorme, Durmishi edhe njëherë përsëriti qëndrimin se nëse të dhënat e inspektoratit të tregut pas 30 qershorit do të konstatojnë se ka pasur rritje të çmimeve në mënyrë të pa arsyeshme, qeveria do të sjellë masa më afatgjate dhe jo si ato të kaluarat që ishin masa afatshkurta.
Ndryshe shporta minimale sindikale e publikuar ditë më parë për muajin qershor arriti në 64,698 denarë, duke shënuar rritje për 790 denarë krahasuar me muajin maj.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/