“Një shkollë që rrezikon të rrënohet. Një kërkesë e prindërve dhe mësuesëve për një objekt të ri sepse shkolla e vjetër nuk i ka as kushtet dhe as kapacitetet për të mësuar mbi 120 nxënës, por kërkesa është refuzuar nga institucionet. Kështu banorët janë detyruar që vetë ta ndërtojnë një objekt të ri, por i njejti tani kundërshtohet nga institucionet nën arsyetimin se nuk ka leje për ndërtim. Kjo duket e pazakontë dhe e vështirë për ta besuar për kohën në të cilën po jetojmë, por është e vërtetë. Kjo po ndodh në fshatin Norovë të komunës së Krushevës”.
Shkolla e vjetër është ndërtuar para 75 vitesh dhe tani nuk i përmbush as kushtet minimale për ndjekjen e mësimit. Objekt i vjetëruar, toalete në gjendje të mjerueshme, që nuk kishin as dyer, vetëm dy klasa dhe dy të tjera të improvizuara sepse në të kaluarën kanë qenë zyra. Në këto kushte janë të detyruar që mbi 120 nxënës të shkollës fillore periferike “Nikolla Karev” ta njekin mësimin nga klasa e parë deri në të nëntën, e madje disa klasa duhet të njekin mësimin me nxënës të kombinuar të klasave të ndryshme. Për kushtet e shkollës fletë edhe mësimdhënësja Alemsha Zhuta Imeri.
Alemsha Zhuta Imeri, mësimdhënëse e Gjuhës Shqipe
“Unë si mësimdhënëse do kisha thënë se kushtet në shkollën tonë nuk janë të volitshme, sa i përket mësimdhënies, nëse i krahasaojmë nëpër qytete dhe nëpër vende të ndryshme. Ne nuk kemi asgjë, përveç dërrasës edhe markerit tani”.
Përshkak të këtyre rrethanave, siç thotë Dashmir Jusufi banor i fshatit Norovë, është paraqitur nevoja e ndërtimit të një shkolle të re.
Dashmir Jusufi, banor i fshatit Norov
“Pasi që me vite kemi aplikuar edhe tek komuna edhe tek Ministria e Arsimit që të na ndërtojnë një objekt të ri shkollor, por pasi kemi parë që ata nuk na japin përgjigje pozitive dhe me iniciativë të banorëve, me përmbajtje të kurbetqarëve dhe të gjithë dashamirësve të arsimit, filluam një objekt të ri shkollor”.
Pasi e kanë ndërtuar objektin e ri thotë ai, filloi presioni i institucioneve para së gjithash i pushtetit lokal por edhe atij qëndror, duke thënë se ky objekt është ndërtuar pa leje dhe duhet totalisht të ndërpriten punimet.
Një banorë tjetër i fshatit Raip Rrustemi, porosit instituconet që nëse problemi është objekti të cilin banorët e kanë ndërtuar, le të ndërtojnë shkollë të re dhe nxënësit do të shkojnë atje të ndjekin mësim.
Raip Rrustemi, banor i fshatit
“Kryesia e Krushevës, po ta ndërtoj ajo shkollën ne do ti japim vend, le ta ndërtoj ne do ta lëmë këtë vend, do shkojmë tek ajo që do e bëjë komuna, por komuna duhet të thotë faleminderit që ndërtoni shkollë vetë, ajo të gëzohet, paret i ngelin asaj, le ta bëjë shkollën nesër, ne pasnesër të gjithë jemi te ajo shkollë”.
Një mësues i pensionuar i kësaj shkolle Xhemail Isufi i dërgon porosi politikanëve
Xhemail Isufi, mësues i pensinuar
“Secili vjen para zgjedhjeve lokale, gjithë thonë do e bëjmë, i marrin votat shkojnë…Ne kërkojmë të na lënë të vazhdojmë siç kemi vazhduar deri më sot. Nëse duan të ndihmojnë janë të mirëseardhur, nëse nuk duan, të na lënë siç kemi e bë kaq, mundemi ta mbarojmë komplet”.
Për shkak të pengimit të vazhdimit të punimeve në shkollën e re, nxënësit kanë bojkotuar mesimin për 8 ditë, por prindët kanë vendosur që fëmijët t’i kthejnë në shkollë sepse siç thonë askujt nuk i interesojnë këta nxënës, ndërsa ata vetëm humbin mësimin.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/